Inspektorati Policor i Kosovës i ka suspenduar dy policë në Pejë, pasi të njëjtit dyshohet se kanë tentuar ta lirojnë një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje, i cili ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor.
“Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati Policor tha se në kuadër të autorizimeve dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, do të marrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave në këtë rast. /Gazeta Enigma