Në 100 ditëshin e parë, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti lavdëroi punën e ekzekutivit, në menaxhimin e pandemisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ai tha se përgjatë mandatit qeveria e udhëhequr nga ai ka marrë gjithsej 143 vendime, dhe ka kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme për mirëqenien e vendit.
“Në këto 100 ditë ne kemi marrë 143 vendime dhe kemi kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme që kanë hedhur bazat për shtet të drejtë e zhvillimor. Kur e bëmë betimin në Kuvend, ne thamë se prioritet kryesor është menaxhimi i pandemisë, në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish që po i humbnim si pasoj e keqqeverisjes, më shumë sesa nga pandemia”, tha ai.
Sipas Kurtit pikërisht menaxhimi i mirë me pandeminë ka ndikuar në uljen e rasteve të infektimit dhe rastet e vdekjes nga COVID 19.
“Nuk gjetëm asnjë vaksinë kur u rikthyem në qeverise, dhe për më keq nuk gjetëm asnjë kontratë për sigurimin tyre, ndërsa sot kemi dy milion vaksina të siguruara dhe mbi 200 mijë doza t administruara. Gjendja me pandeminë është vënë në kontroll dhe gjendja është përmirësuar dukshëm. Me kënaqësi raportojmë se pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, vaksinat janë siguruar dhe kemi përmbushur premtimin kryesor ndaj qytetarëve”, tha tutje ai/Gazeta Enigma.