Ministria Mbrojtjes e Shqipërisë ka thënë se po punojnë për shuarjen e zjarreve në 12 vatra, të cilat vijojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera të raportuara që janë shuar.
Në njoftim bëhet e qartë se po monitorohen vatrat e zjarrit ende aktive në fshatin Skuraj, Malin e Kakarriqit (bashkia Lezhë), në Malin e Lopçit (Shkodër), në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan (bashkia Maliq), e vende të tjera.
Nën kontroll është vënë edhe zjarri në fshatin Qarrishtë, bashkia Librazhd, në një sipërfaqe pyjore në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik.
Puna vijon dhe nuk paraqet rrezik për përhapje edhe zjarri në vendin e quajtur “Mali i Qukësit”, bashkia Prrenjas.
Forcat janë angazhuar dhe kanë nën kontroll situatën në vatrën e zjarrit në Malin Lugë, fshati Kus(bashkia Tiranë), si dhe në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Mallakastër.
Në fshatin Mazhar(bashkia Selenicë) dhe në fshatin Bolenë(bashkia Himarë) janë aktivizuar vatra zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të dendur.
Me vëmendje po shihet situata e krijuar nga zjarri në fshatin Ninat, bashkia Konispol, në sipërfaqe me kullotë. Era e fortë po favorizon flakët, por janë larg zonës së banuar.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë aktivizuar 450 forca dhe 33 mjete. Në mbështetje të këtyre forcave janë të angazhuar 130 trupa nga Forcat e Armatosura.