Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, njoftoi të mërkurën se Bashkimi Evropian po e kërcënon me masa shtesë nëse zbatohet vendimi i Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit, shkruan Gazeta Enigma.
Bislimi ka thënë se i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të 19 qershorit në Kosovë, ku ndër të tjera ishte diskutuar edhe për temën e urës mbi lumin Ibër, kishte thënë se nëse Kosova s’preferon që kjo të diskutohet në Bruksel atëherë rekomandon të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë.
“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur kemi biseduar për urën e Mitrovicës, Lajçak tha se nëse Kosova nuk preferon të diskutojë përsëri për këtë çështje në Bruksel, ai rekomandon diskutime të brendshme me serbët vendas në veri për implikimet potenciale në siguri dhe shqetësimet e tyre. Një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektim teknik. Ne kemi ndjekur dy rekomandimet”, shkroi Bislimi në platformën “X”.
“Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë. Ne besojmë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme”, shkroi ai.
Ndërkohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur mbi çështjen e Urës kryesore mbi lumin Ibër, duke thënë se Qeveria e tij do të vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë. Ai shtoi se hapja e urës nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.