MD-ja mohon se pagesa është arsye e largimit të avokatit të Veselit: Përfitoi më shumë se 4 milionë euro

MD-ja mohon se pagesa është arsye e largimit të avokatit të Veselit: Përfitoi më shumë se 4 milionë euro

Avokati Ben Emmerson është larguar nga mbrojtja e Kadri Veselit në Hagë, ndaj këtij lajmi ka reaguar Ministria e Drejtësisë, duke thënë se tërheqja e tij nuk ka të bëjë me “pagesë të ulët”. Sipas MD-së, avokati Emmerson ka përfituar 4,019,724.91 euro.

Sipas MD-së, “Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:

Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim. Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta.

Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por pagesa e ulët nuk është një prej tyre.

Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent).

Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale.

Për më tepër, Ministria e Drejtësisë me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe është e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi.

Related Articles