Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me shefin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart Munsch.
Gjatë këtij takimi ata kanë biseduar për sigurinë në vend.
“Diskutimet e sotme u përqendruan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për mbështetjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga BE-ja”, u tha në njoftimin e publikuar nga Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Gjatë ditës, admirali amerikan Munsch u takua edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.
Ky mision tha se gjeneralmajori Ulutas bisedoi me admiralin amerikan për aktivitetet e misionit të NATO-s në Kosovë për të mbështetur paqen dhe dialogun që zhvillohet në Bruksel.
Vizita e admiralit Munsch në Kosovë vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe KFOR-i kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
KFOR-i ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit, sikurse edhe BE-ja.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.
Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se po vazhdon koordinimin dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë sa i përket hapjes së urës, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, nga Mitrovica e Veriut me shumicë serbe. /Gazeta Enigma