Dëshmitari i radhës, Imer Imeri para Speciales: S’jam kundër UÇK-së, por veprat e disave me sollën këtu

Dëshmitari i radhës, Imer Imeri para Speciales: S’jam kundër UÇK-së, por veprat e disave me sollën këtu

Ka nisur seanca e radhës në gjykimin e ish krerëve të UÇK-së, në Hagë, raporton Gazeta Enigma.

Dëshmitari i radhës është Imer Imeri, i cili para gjykatës tha se do që t’i tregojë popullit se nuk është kundër UÇK-së por se veprat e disa individëve e kanë çuar të dëshmojë në Hagë.

“I nderuar gjykatës, unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjellë sot këtu”, tha Imeri.

Atij iu paraqitën fotografi. Në njërën prej tyre, ai tha se ishte vendi ku ai ishte mbajtur i ndaluar.

“Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit 1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Kurmes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejtë unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor”, tha Imeri.

Imer Imeri po merret në pyetje nga prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Vega Iodice.

Prokuroria pretendon se Imeri ishte rrëmbyer nga anëtarët e UÇK-së me maska dhe ishte mbajtur i ndaluar në Shqipëri, ku, siç thotë Prokuroria, “e kanë rrahur ushtarët e UÇK-së” dhe “ka parë se si janë keqtrajtuar persona të tjerë që kanë qenë të ndaluar ma të”.

Imer Imeri është vëllai i aktivistit të LDK-së, Haki Imeri i cili ishte vrarë në nëntor të vitit 1999.

Related Articles