Danimarka i dhuron Kosovës vaksina AstraZeneca, vetë e ndaloi përdorimin e tyre

Danimarka i dhuron Kosovës vaksina AstraZeneca, vetë e ndaloi përdorimin e tyre

Qeveria e Danimarkës do të dhurojë një milion vaksina AstraZeneca kundër COVID-19 për katër vende të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nevojë për vaksina, tha përmes një deklarate ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e lagjes sonë dhe ne kemi interes të madh të përbashkët për të qëndruar së bashku – përfshirë në luftën kundër pandemisë”, tha ai.

Donacionet përbëhen nga vaksinat që Danimarka i ka blerë dhe paguar nga kompania anglo-suedeze AstraZeneca, por që nuk i janë dorëzuar ende.

Vaksina AstraZeneca nuk është duke u dhënë në Danimarkë.

Pas raporteve se ajo mund të shkaktojë mpiksje gjaku te njerëzit e vaksinuar, autoritetet daneze e kanë ndaluar përdorimin e saj në mars, ndërsa në prill e kanë hequr tërësisht nga programi i imunizimit.

Agjencia Evropiane e Barnave ka rekomanduar që vaksina AstraZeneca të përcillet me paralajmërimin se shkakton mpiksje të rralla gjaku, por ka theksuar se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se përfitimet nga vaksina AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet dhe ka rekomanduar që vaksinimi me të të vazhdojë.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve.

Imunizimi, deri më tash, është bërë me vaksina të dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet individuale.

Këtë javë, në Kosovë kanë nisur të arrijnë edhe kontingjentet e para të vaksinës Pfizer/BioNTech, të parapara me kontratën që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer./Rel

Related Articles