Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.L., i nacionalitetit goran, pasi i pandehuri dyshohet se në cilësinë e policit të stacionit policor në Prizren, ka kryer veprat penale “vrasje”, “torturë”, “trajtim çnjerëzor ndaj popullatës civile të nacionalitetit shqiptar” në komunën e Suharekës dhe Rahovecit.
“Hetimet kanë vërtetuar se, forcat policore serbe fillimisht i kanë arrestuar viktimat në regjionin e Suharekës dhe të Rahovecit dhe më pastaj i kanë dërguar në Stacionin Policor në Prizren. Aty i pandehuri i ka marr në pyetje duke përdorur torturë dhe trajtim çnjerëzor. Si rezultate i torturave i ndjeri R. J. ka vdekur kurse dhjetë (10) civile të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja psikike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri gjendet në paraburgim, sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.