“Dështim i diplomacisë kosovare” – Ekzekutivi fajësohet për mungesë të njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata

“Dështim i diplomacisë kosovare” – Ekzekutivi fajësohet për mungesë të njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata


Asnjë njohje nuk i është bërë shtetit të Kosovës qe gati katër vite. Kosovën që nga 2008-ta e deri më tani e kanë njohur
117 shtete të botës, teksa njohja e fundit ishte nga shteti i Izraelit më 1 shkurt në vitin, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Washington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Mos sigurimi i njohjeve nga ana e ekzekutivit, konkretisht Ministrisë së Punëve të Jashtme po vlerësohet si dështim i diplomacisë kosovare. Krahas kësaj, Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, të cilat i synon tash e sa vite.

Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Xhavit Haliti, ka thënë për Gazetën Enigma se vendi nuk po arrin të marrë njohje, shkaku i marrëdhënieve të dobëta me ndërkombëtarët, të cilët, sipas Halitit, janë ata që miratojnë dhe garantojnë njohjet e vendit.

“Në kushtet kur Kosovës i janë vënë sanksione nga BE, në kushtet kur bashkëpunimi nuk është i nivelit të duhur me vendet mike, dhe vendet të cilat kanë kontribute të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Kosovës, ku shumicën e njohjeve i kanë miratuar dhe garantuar ata, normalisht që s’ka ndonjë angazhim të tyre”, tha ai.

Haliti shton se ekzekutivi nuk ka diplomaci me ndikim në botë, dhe se pa angazhimin e vendeve perëndimore, Kosovën mund ta njoh vetëm ndonjë vend “vullnetar”.

“Sa i përket angazhimit të Qeverisë, këta po flasin vetmevete, duke i shfrytëzuar mediumet, teksa me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e kanë asnjë kontakt dhe pritje për njohje. Ne kemi diplomaci minore dhe pa ndikim në botë, në atë mënyrë që shtetet përkatëse ta njohin pavarësinë e Kosovës. Pa angazhimin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe perëndimorëve, nuk do ketë njohje, pos nëse ka ndonjë vend “vullnetar” për ta njohur vendin se thotë për “gjynah”, se përndryshe nuk ka ndonjë pritje për njohje”, shtoi ai.

“Nuk është puna që kanë ngecur[diplomacia kosovare], por ku do të shkojnë? Kemi vendet e Amerikës Latine, kemi vendet e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, që një pjesë e madhe nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kemi 5 vendet e BE që nuk pritet që ta njohin, edhe pse ka pasur proces shpresues për njohje. Njohjet bëhen mbi bazën e sukseseve që ka Qeveria në Kosovës, e jo me sukseset që kanë të bëjnë me pastrimin e merimangave në Ura, por zotimit të kryerjes së detyrave të shtëpisë, të cilat i ka Qeveria të ngarkuara nga vendet mike perëndimore”, përfundoi ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, për Enigmën ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me kryediplomaten, Donika Gërvalla, kanë dështuar në këtë mision

“Njohja e fundit e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë pikërisht më 4 shtator 2020 nga Shteti i Izraelit ku dhe u bë hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem në janar të vitit 2021. Që nga ai moment Kosova nuk ka arritur të realizojë njohje të reja”, ka thënë ai.

Sa i përket këtij stagnimi katërvjeçar të diplomacisë kosovare vlen të nënvizohet vërejtja edhe tek vet kryediplomatja e vendin, ministrja e punëve te jashtme, Donika Gervalla e cila fatkeqësisht ka dështuar në këtë profesion dhe mision njëkohësisht”, tha Shabani.

“Diplomacia në përgjithësi ka sensin e komunikimit dhe krijimit të miqësive të reja në nivel shtetëror dhe kjo duhet kultivuar vazhdimisht, mirëpo një veprim i tillë nuk mund të thuhet se e kemi parë tek MPJD. Gjë që është dashur angazhim maksimal, organizim të forumeve ndërkombëtare në Prishtinë, vizita zyrtare në kancelaritë amerikane, evropiane, po edhe ato të Lindjes së Mesme dhe Azisë – pasiqë çdo nënshkrim i marrëdhënieve bilaterale domosdoshmërish do sjell edhe njohjen e vendit, e që pas saj vijojnë bashkëpunimet ekonomike, investimet e huaja, memorandume në rrafshin shkencor, kulturor dhe atë të sportit”, shtoi tutje ai.

Sipas tij, një ecuri e tillë në rrafshin ndërkombëtare, vetëm do ta dobësoje Kosovën në proceset eurointegruese.

“Mendoj se qeveria aktuale në aspekin e politikës së jashtme ka dështuar pjesërisht dhe një ecuri e tillë vetëm se do e dobësojë Kosovën, sidomos edhe në rrugëtimin e saj eurointegrues” përfundoi ai.

Kurse profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, tha se Kosovës i mungojnë strategji diplomatike, por edhe nëse kemi diçka të tillë, njohjet do të ishin të pamundura pa ndihmën e shteteve perëndimore.

“Sa i përket njohjeve, mungon një strategji më specifike për disa vende që kërkojnë një trajtim krejt tjetër. Pavarësisht, çfarëdo strategjie që ne mund të bëjmë, pa ndihmën e shteteve perëndimore, thuajse është e pamundur të arrihet ndonjë njohje përmbajtjesore” tha ai për Gazetën Enigma.

Arifi tha se Kosova duhet të fokusohet në njohjen e 5 vendeve të BE-së, që ende nuk njohin Kosovën, pasi interesat në Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme, janë zero.

“Politika e jashtme është çështje e indiferencave të shteteve të ndryshme që kanë, në një rajon të caktuar. Mendoj që interesat e Kosovës në rajonet e Afrikës apo Lindjes së Mesme, thuajse zero. Pa një lobim të fuqishëm të ndonjë shteti, në Afrike, Azi dhe vende tjera, është e pamundur, pasi po flasim për disa shtetet që nuk janë më demokratike. Ne duhet të fokusohemi në njohjen e pesë vendeve të BE-së, në mënyrë që të lëvizim drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike” përfundoi ai.

Ndërkohë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërsa, vendet e BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. /Gazeta Enigma/

Related Articles