Policia dhe Dogana parandalojnë tri raste të kontrabandimit me mallra në kufirin me Serbinë

Policia dhe Dogana parandalojnë tri raste të kontrabandimit me mallra në kufirin me Serbinë

Policia dhe Dogana e Kosovës, në luftën kundrejt dukurive të kundërligjshme, e në veçanti asaj të kontrabandës, në zonën kufitare Kosovë-Serbi ka ndërhyrë në tri raste të ndara, që kanë rezultuar me parandalimin e kontrabandimit të mallrave të ndryshme si duhan, pije alkoolike dhe mallra tjera, raporton Gazeta Enigma.

Policia ka njoftuar se me datën 05.09.2024, rreth orës 06:35, në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë dhe fshatit Stublinë – gjatë kontrollit të një automjeti me targa serbe që u dyshua për kontrabandë me mallra, i janë gjetur të ngarkuar disa thasë ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gramë.

“Duhani ishte i llojeve të ndryshme si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako dhe arrinte në peshë të përgjithshme prej gjithsej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera  e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin kompetent, kurse malli i kontrabanduar  dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme sipas kompetencës.

Derisa, më 04.09.2024, rreth orës 18:40, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë dhe fshatit Karaçevë e Poshtme është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.

“Gjatë kontrollit të automjetit i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, i njëjti kishte pasur të ngarkuara 798 shishe me birra Zajrqasko (me nga 0.5 litër) pa dokumente mbi prejardhjen e mallit”- theksohet më tej në njoftimin e policisë.

Po ashtu më 04.09.2024, rreth orës 19:50, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë dhe fshatit Karaçevë e Poshtme gjatë kontrollit në një makinë që po drejtohet nga një shtetas i Kosovës e që hyri ilegalisht nga Serbia, i janë gjetur 27 pako me speca në peshë rreth 300 kg pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.

Policia bëri të ditur se lidhur me rastin, automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor për procedurat e mëtejme.

Related Articles