Kombëtarja e Kosovës sot do të përballet me Qipron në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kjo ndeshje pritet të filloj nga ora 18:00 në stadiumin “AEK Arena”, Larnaca.
Mirëpo në këtë ballafaqim, Kosova do të hyjë në fushë pa tre lojtarë – Edon Zhegrovën, Aro Muric si dhe Betim Muslijën, shkuran Gazeta Enigma.
Kjo pasi këta të fundit u përjashtuan nga grumbullimi me vendim të FFK-së.
Në opinionin publik ky vendim ka shkaktuar debat, nëse si i tillë ishte i duhuri ose jo.
Sportistët sipas lajmeve që qarkullojnë besohet se kanë qëndruar në një klub nate deri në orët e vona, gjë që bije ndesh me rregullat e FFK-së dhe për pasojë ata mbetën jashtë fushës së blertë sonte në ndeshjen me Qipron.
Akuza këto të cilat u mohuan nga lojtarët.
Një vendim të tillë, si të bazuar e sheh analisti sportiv, Arben Zeqiri.
Zeqiri për Gazeta Enigma ka thënë se “lehtë ska në asnjë ndeshje por sonte duhet fitorja dhe asgjë tjetër”.
Tutje ai ka komentuar edhe mbi deklaratën e Arjanet Muric.
Portieri i kombëtares dje ka deklaruar se ata ishin për ushqim jashtë hotelit dhe jo në diskotekë.
“Ushqim ka mjaftueshëm edhe në Emerald (vendi ku stacionohen ekipi dhe stafi i kombëtares), dhe me ikë nga hoteli në atë kohë është e papranueshme, prandaj ka ardh ky vendim i Fodës dhe FFK-së”, u shpreh analisti.
Tutje ai shtoi se deri tek vendimi beson se ka ardhur pas një analize të mirë të bërë nga Foda.
Kosova sonte kërkon fitore pas humbjës që pati ndeshjen e kaluar ndaj Rumanisë. /Gazeta Enigma