Kërkohet rritja e pagave, nga VV-ja thonë se ky nuk ishte premtimi i Qeverisë

Kërkohet rritja e pagave, nga VV-ja thonë se ky nuk ishte premtimi i Qeverisë

Kryeministri i vendit në  fillim të mandatit ka thënë se ai nuk ka ardhur në pushtet me premtimet për rritje të pagave, siç kanë bërë Qeveritë e kaluara, por megjithatë kreu i ekzekutivit ka thënë se pagat do të rriten

Në lidhje me një mundësi rritjeje të pagave përgjatë këtij mandati për FrontOnline janë deklaruar deputetë nga pozita e opozita.

Deputeti Haliti: Rritja e pagave ka ndodhur në shumë sektorë

Enver Haliti, deputet nga Lëvizja  Vetëvendosje (VV), ka deklaruar se rritja e pagave nuk ka qenë një premtim i qeverisë, por ka ndodhur në mënyrë të dukshme në shumë sektorë gjatë këtij mandati. Sipas Halitit, kjo rritje është konsideruar solide dhe ka përfshirë një gamë të gjerë sektorësh, duke reflektuar përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës.

“Së pari nuk ka qenë premtim rritja e pagave, por rritja ka ndodhur edhe atë një rritje solide në shumë sektorë”,tha Haliti.

Pal Lekaj: Qeveria “Kurti” mbetet kampione e gënjeshtrave mbi premtimet elektorale

Në anën tjetër, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar ashpër qeverisjen e Kurtit, duke e akuzuar atë për “kampione të gënjeshtrave” në lidhje me premtimet elektorale.

Lekaj ka vlerësuar se qeveria është duke  mbyllur mandatin me një përmbushje të ulët të premtimeve, vetëm 20-30%, dhe e ka kritikuar për manovrimin e premtimeve mbi rritjen e pagave.

“Qeveria Kurti mbetet kampione e gënjeshtrave mbi premtimet elektorale. E dhimbshme dhe e çuditshme që ky pushtet po mbyll mandatin me shumë pak punë, zhvillim, e suksese, ku në përgjithësi kanë realizuar vetëm 20-30% të premtimeve elektorale”, tha Lekaj.

Ai ka theksuar se vendimet ad hoc të marra në fund të mandatit nuk i përmbushin interesat e qytetarëve dhe se AAK ka kërkuar vazhdimisht një pagë minimale prej 450 eurosh dhe një koeficient prej 129 eurosh, kërkesa të cilat nuk janë marrë parasysh për shkak të “inateve politike”.

“Premtimi mbi rritjen e pagave është manovruar nga kjo qeveri, ndërsa tani në fund po marrin vendime ad hoc që nuk ju përshtaten interesave dhe kërkesave të qytetarëve. Ne si AAK kemi kërkuar në vazhdimësi që Paga minimale në vend të jetë 450 euro, dhe që vlera e Koeficientit të jetë 129 euro, por që nuk janë marrë parasysh për shkak të inateve politike”, u shpreh deputeti Lekaj.

Lekaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për përpjekjet për të manipuluar qytetarët me vendime mbi rritjen e koeficientit dhe pensioneve në prag të zgjedhjeve, duke e konsideruar këtë një përpjekje për të vonuar dhe mashtruar qytetarët. “Tani para zgjedhjeve, Qeveria Kurti do të shfrytëzojë momentumin që të mashtrojë e stimulojë qytetarët dhe punonjësit publik, me një vendim mbi rritjen e koeficientit dhe pensioneve, e që ka mundur ta marrë para 3/4 viteve. Qytetarët këtë rritje të koeficientit dhe pensioneve duhet ta kuptojnë si zvarritje e vjedhje nga Qeveria që është dashur t’ia mundësojë para shumë kohësh e jo në kohë fushate”, përfundoi Lekaj.

Ferat Shala: Nuk  përjashtohet mundësia që Kurti ta luajë kartën e fundit elektorale me rritje pagash

Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se shpreson se Qeveria do t’i rrisë pagat, duke e parë këtë si një mundësi për të kompensuar mungesën e arritjeve të tjera të premtuara.

Shala ka vënë në dukje se në një situatë ku Qeveria nuk ka përmbushur premtimet e tjera, mund të përdorë rritjen e pagave si një strategji elektorale për të rritur mbështetje dhe për të manipuluar opinionin publik.

‘’Besoj dhe shpresoj që Qeveria do të rrisë pagat pikërisht për faktin se i mungojnë të gjitha të arriturat tjera të premtuara dhe tanimë i vetmi aset i ka mbetur të operojë me financa dhe paranë publike e në këtë relacion edhe nuk përjashtohet mundësia që ai ta luajë kartën e fundit elektorale me rritje pagash”, përfundoi Shala.

Related Articles