Ballkani ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Prishtinës në kuadër të javës së pestë në elitën e futbollit kosovar.
Gjatë pjesës së parë të takimit kishim të bëjmë me një dominim absolut të vendasve si në aspektin e posedimit të topit ashtu edhe në atë të krijimit të rasteve.
Kryeqytetasit e udhëhequr nga Jean Michel Cavalli nuk po arrinin që të qarkullonin topin sa duhet e as të krijonin ndonjë rrezik për portën e Enea Koliçit.
Rasti i parë për Ballkanin erdhi në minutën e tetë përmes sulmuesit Sunday Adetunji të cilit Ardit Nika ia mohoi golin.
Një tjetër mundësi e artë shënimi për therandasit e pati edhe Giovanni Ribeiro i cili në minutën e 26-të ishte shumë pranë golit por sërish Nika ishte vendimtar me pritjet e tij.
Përkundër paraqitjes së tij pozitive në këtë takim, Nika nuk i shpëtoi dot golit dhe Ballkani arriti që në minutën e 82-të të kalojë në epërsi.
Ishte Bernard Karrica ai i cili shënoi për rezultatin 1-0 pas një reagimi të dobët në mbrojtjen e Prishtinës.
Deri në fund Ballkani arriti që ta menaxhojë mirë epërsinë e krijuar duke marrë tri pikët e para nën udhëheqjen e trajnerit të ri Artim Pollozhani.
Ballkani tani numëron dhjetë pikë dhe momentalisht gjendet në krye të tabelës me pikë të barabarta me Suharekën qe renditet e dyta, ndërsa Prishtina zbret në pozitën e tretë me shtatë pikë.