Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas mbështetjes që mori nga disa klube të Superligës, kundrejt asaj që FFK i quajti “shpifës që mundohen të denigrojnë FFK-në”.
Në një deklaratë të lëshuar në faqen e tyre zyrtare, FFK tha se klubet, dhe në përgjithësi komuniteti i futbollit në Kosovë, kanë dëshmuar edhe njëherë se janë “mburojë e fortë e Federatës së Futbollit të Kosovës”.
“Ato nuk lejojnë që individë të paintegritet, të cilët nuk kanë lidhje me futbollin, të denigrojnë dhe shantazhojnë këtë sport, për të cilin është derdhur shumë djersë dhe janë bërë investime të mëdha për dekada me radhë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
“Klubet, Lidhjet Rajonale, shoqatat e asociacionet e trajnerëve, të gjyqtarëve, të veteranëve, të futbollit të femrave, të futsallit, shkollat e futbollit dhe të gjithë dashamirët e futbollit kanë reaguar ashpër ndaj shpifjeve të fundit nga një personazh që fshihet pas petkut të gazetarit dhe opinionistit”.
FFK shprehu mirënjohje ndaj të gjitha klubeve, futbollistëve, trajnerëve dhe dashamirëve të futbollit për mbështetje të vazhdueshme.
“Faleminderit që e mbroni dhe e vlerësoni futbollin, duke e forcuar imazhin e tij dhe duke mos lejuar nëpërkëmbjen e tij nga disa individë që nuk përfaqësojnë asgjë në këtë sport”, janë shprehur nga FFK.
Organi më i madh i futbollit në vend tha se do të vazhdojë të përfaqësojë me krenari vlerat e vërteta të futbollit dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
“Ne do të krijojmë kushte të favorshme për të rinjtë e vendit tonë përmes investimeve dhe mbështetjes në të gjitha segmentet; edukim, avancim, infrastrukturë, zhvillim, masivizim dhe profesionalizëm”.
“Së bashku, do ta ruajmë dhe zhvillojmë futbollin tonë!”, përfundoi FFK. /Gazeta Enigma