Përqarje e re brenda LVV-së, pas Rrahmanit e Korenicës priten dorëheqje të tjera

Përqarje e re brenda LVV-së, pas Rrahmanit e Korenicës priten dorëheqje të tjera

Dy deputet kanë “fluturuar” nga partia që po qeveris aktualisht me vendin, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Gazeta Enigma.

Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, i janë bashkuar koalicionit AKR-Partia e Drejtësisë, për shkak të mos pajtimeve me ish partinë, VV-në.

Rrahmani në konferencën ku zyrtarizoi dorëheqjen tha se iu është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje me qëllim të luftimit të krimit, nepotizimit, korrupsionit, zhvillimit të arsimit, zhvillimit të shëndetësisë e ekonomisë, por se sipas tij “procesi në vazhdimësi ka dëshmuar që para të gjitha këtyre kanë ardhur prioritet çështjet të cilat e sulmojnë familjen tradicionale”.

“Vetëvendosja do të pësojë një goditje ditëve të ardhshme”

E duket se nuk do të përfundoj me kaq.

Deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, deklaroi për Gazetën Enigma, thotë se ditëve në vijim do të ketë edhe dorëheqje të tjera nga mazhoranca, “për shkak të tentativës për të kontrolluar shprehjen e lirë të deputetëve dhe shprehjen e mendimeve”.

“Me vetë faktin që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje japin dorëheqje, tregon që aty nuk është në pyetje vetëm përçarja, por kjo është një ndasi mjaft e thellë. Unë mendoj se do të ketë dorëheqje edhe ditëve në vijim, për shkak të tentativës së individëve të caktuar në këtë parti, për të kontrolluar shprehjen e lirë të deputetëve, por edhe shprehjen e mendimeve. Mendoj që është e pashmangshme të ketë edhe dorëheqje të tjera, dhe mendoj se Vetëvendosja do të pësojë goxha një goditje ditëve të ardhshme”, tha Qalaj në një prononcim për “Enigmën”.

Sa i përket asaj se nëse këto dorëheqje do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit për LVV-në, Qalaj tha se nuk pret që kjo parti të dështojë në zgjedhje nga dorëheqjet, por nga “keqqeverisja”.

“Nuk pres ndonjë ndryshim të perceptimit të qytetarëve sa i përket qasjes së dorëheqjeve, mirëpo perceptimi i qytetarëve do të ndryshojë për shkak të keqqeverisjes së pushtetit, dhe mendoj se ta kemi një rezultat krejt tjetër në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt”, deklaroi ai.

Sa i përket akuzës së deputetit Rrahmani se LVV nuk është fokusuar në çështjet që i ka premtuar, Qalaj tha se një fokus të tillë nuk e ka parë as nga Rrahmani e Korenica.

“Nuk kam parë ndonjë tentativë për të luftuar këto dukuri nga vetë Rrahmani apo nga Korenica, së paku publikisht në seancat e Kuvendit. Nuk e di se sa kanë qenë të zëshëm në takimet e partisë sa kanë qenë pjesë e LVV-së, mirëpo sa i përket diskutimeve në Parlament, kur ne si opozitë kemi akuzuar pushtetin sidomos për nepotizëm dhe tenderat njëburimor, nuk kemi parë ndonjë deklarim të tyre”, tha ai.

“LVV ka dhënë premtime stratosferike”

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë se pakënaqësitë e Rrahmanit e Korenicës janë të arsyeshme sa i përket mosmbajtjes së premtimeve, duke potencuar se LVV bashkë me Albin Kurti në krye kanë bërë shumë premtime që nuk po i realizojnë.

“Është evidente që partitë politike japin premtime nganjëherë stratosferike – edhe këta kanë dhënë, ndonëse në realitet nuk po realizojnë, po veprojnë në dimensione tjera, dhe këto janë pakënaqësitë. Premtimet nuk i mban asnjë parti. Edhe më herët premtoheshin mbi 200 mijë vende pune, por nuk punësoheshin as dy mijë. Edhe këta ashtu, kanë premtuar ‘gropa e bregje’, e në fakt nuk i kanë realizuar. Kanë premtuar qindra çerdhe, i kanë bërë vetëm 60 nga 400 sa i kanë premtuar”, tha Baraliu për Gazetën Enigma.

Baraliu nuk beson se këto dorëheqje do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare për Lëvizjen Vetëvendosje,

“. Lëvizjet në parti shkojnë, njerëzit hyjnë e dalin, kanë interesa të ndryshme, orientime të ndryshme politike dhe ideologjike. Disa që kanë qenë idealista ose njerëz korrekt që fjalën e dhënë duhet mbajtur, edhe në politikë, këta nuk është që kanë mundur, kushtet kanë qenë të jashtëzakonshme, pandemia, lufta, energjia kriza. Por është e vërtetë që janë të pakënaqur dhe krejt legjitime është që të kërkojnë orientime të tjera”, deklaroi për fund Baraliu.

E sa i përket gjithë kësaj situate, Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, tha se ky veprim “në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani”, është “vetëm në funksion të një qëllimi elektoral”.

“Çdo gjë është e tepër të komentohet tani kur janë shpallur zgjedhjet e rregullta nacionale të cilat janë të caktuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, prandaj secili veprim apo deklarim në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani është vetëm në funksion të një qëllimi elektoral., për shkak se nuk shoh ndonjë hapësirë ose mundësi tjetër për të bërë ndryshim tjetër përveç se për t’u pozicionuar në aspektin zgjedhor ose elektoral diku tjetër. Prandaj, arsyetimet për mua nuk është se tashmë duhet t’i komentojmë ose të vazhdojmë sagën e komentimeve”, tha Kusari Lila.

Ajo thotë se deputetët e larguar nuk kanë dhënë njoftim paraprak. “Për keqardhje është që nuk kanë bërë njoftim paraprak. Do të ishte kurtuazi minimale gjatë gjithë kësaj kohe të qëndruarit bashkë dhe natyrisht shërbimit në të njëjtin grup parlamentar, të paktën të kishin deklaruar ose komunikuar grupit. Nuk ka pasur një deklarim të tillë. Sido qoftë është zgjedhje e tyre. Unë ju uroj sukses kudo që janë. Natyrisht që janë mos pajtime parimore që kanë të bëjnë në raport se si organizohet puna dhe shteti, dhe cilat janë vendimet që i merr Kuvendi përfshirë këtu edhe miratimin e ligjeve dhe miratimin e Kodit Civil”, tha Kusari-Lila në një intervistë për media.  

Sipas saj, nuk ka pasur hapësirë për negociata paraprake sa i përket Kodit Civil, me dy deputetët të cilët si arsye kanë potencuar shtyrjen përpara të Kodit Civil nga shumica parlamentare e deputetëve të VV-së.

“Dridhje” në LVV edhe në Drenas

Dorëheqja e Rrahmanin e Korenicës nuk janë të vetmet për Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe dega e saj në Drenas së fundmi është “tundur” nga dhjetëra dorëheqje.

Ditë më parë shumë asamblistë të kësaj partie njoftuan për dorëheqjet e tyre, me arsye pothuajse të njëjta: “nepotizimi, ndikimi në pronat publike”

Naim Qorri, kryetar i degës së VV-së në Drenas ishte ndër të parët që njoftoi për dorëheqjen e tij nga partia. Qorri hodhi akuza të rënda për deputetin e VV-së Enver Dugollin, se i njëjti “ka punësuar individë në ndërmarrje publike dhe ministri të ndryshme në mënyrë të pandershme”.

Edhe asamblisti më i votuar në Drenas, Selman Qallapeku, njoftoi largimin e tij nga dega e VV-së.

Dorëheqje dha edhe aktivisti Ermir Mulaj. Ai akuzoi disa persona në qendrën e Lëvizjes në Prishtinë për përçarje të aktivistëve. /Gazeta Enigma

Related Articles