Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi janë përballur me uragane katastrofike të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha, shkruan Gazeta Enigma.
Pak javë më parë ishte uragani Helene që ktheu Floridën në një kaos prej vërteti duke shkatërruar shtëpi e rrugë gjithandej.
Pak ditë më vonë, qindra mijëra njerëz kanë nis të evakuohen nga Florida sërish. Kjo pasi autoritetet kanë paralajmëruar një uragan tjetër, të quajtur Milton, i cili pritet të jetë i kategorisë pesë të stuhisë.
Gazeta Enigma ka kontaktuar me një familje kosovare që jetojnë në zonat e prekura e që pritet të vërshohen sërish nga një uragan që siç thuhet të jetë ‘stuhia më e rëndë që e Godet Floridën në mbi një shekull’.
Ata janë shprehur se shpresojnë shumë që kjo stuhi të kalojë sa më shpejt derisa kanë zgjedhur Gjeorgjinë që të strehohen përkohësisht.
“Jemi mirë, jemi evakuuar nga uragani Milton për më shumë siguri. Duke qëndruar të fortë dhe me shpresë, derisa të kalojë stuhia”.
Këta nuk janë familja e vetme shqiptare që janë detyruar të lëshojnë vendbanimet e tyre, edhe shumë familje të tjera që vijnë nga Kosova e Shqipëria gjenden të shpërndarë gjithandej.
“Gjatë rrugës ka pas kolona të mëdha, pritje me orë të tëra për ta lëshuar Floridën”, shtuan tutje gjilanasit që jetojnë atje.
Çka dihet për uraganin “Helene” ?
Uragani ‘Helene’ ka shkaktuar dëme të mëdha në mbarë Floridën dhe juglindjen e Shteteve të Bashkuara, duke lënë të vdekur qindra persona në katër shtete amerikane.
Dëmet nga kjo stuhi e fuqishme konsiderohen se kishin arritur nga 15 miliardë dollarë deri në mbi 100 miliardë dollarë.
Edhe aso kohe “Helene” ishte konsideruar si ‘katastrofë me përmasa historike’, kështu kishte deklaruar guvernatori Roy Cooper.
Ndërkaq në vitin 1935 Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin goditur nga uragani ‘Labor Day”, i cili besohet të jetë më i fuqishmi ndër vite.
Nga ky uragan mbetën të vdekur 423 persona./Gazeta Enigma