Tash e sa kohë, Kuvendi është “paralizuar” sa i përket miratimit të projektligjeve, shkruan Gazeta Enigma. Mungesa e kuorumit, mosinteresimi i deputetëve e mosngutja e Qeverisë sa i përket miratimit të tyre, po shihen si disa arsye për “bllokadën” e krijuar gjatë kësaj legjislature.
E mosmiratimi i projektligjeve duke se do të vazhdojë.
Partia Demokratike e Kosovës në seancën e së enjtes njoftoi se nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, për sa kohë që Mimoza Kusari-Lila të jetë shefe e grupit parlamentar të LVV-së, shkaku i publikimit të përgjimeve të bisedave të saj me kriminelin Milan Radoiçiq.
Nga opozita, fajin ia lënë mazhorancës
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, thotë për Gazetën Enigma se përgjegjësia për miratimin e projektligjeve i takon deputetëve shumicë – atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ajo është çëshjte e shumicës paralamentare – në këtë rast e Vetëvendosjes. Ata i kanë pasur numrat gjithmonë për të votuar projektligjet, tash që nuk i kanë duhet me sqaru ata”, tha Gashi për “Enigmën”.
Gashi tha se LVV-ja, në katër vitet që prej ka ardhur në pushtet, nuk ka bërë “asnjë koordinim dhe asnjë bashkëpunim me opozitën dhe nuk kanë dashtë me pasë”.
“Kështu që i mbetet atyre t’i përfundojnë projektligjet”, deklaroi ai.
Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, Gashi tha se LDK është e hapur t’i votojnë.
“Ligjet me shumicë të thjeshtë janë çështje e Qeverisë, ata duhet t’i finalizojnë vetë. Ligjet që kanë nevojë për 2/3 e votave të deputetëve, e që janë marrëveshje ndërkombëtare, LDK-ja angazhohet dhe do t’i përkrahë”, u shpeh ai.
Dënimet për mungesë të deputetëve – inekzistente
Menaxherja e Insituti Demokratik të Kosovës (KDI) Violeta Haxholli, thotë për Gazetën Enigma se edhe pse ka mungesa të shumta nga ana e deputetëve, ndëshkimet ndaj tyre janë minimale e gati edhe inekzistente.
“Disa deputet vetëm nënshkruhen për shkak të marrjes së mëditjes dhe e braktisin sallën akoma pa filluar seanca”, shprehet Haxholli.
Problemi me mungesat e deputetëve vazhdon t’a penalizojë punën e Kuvendit në vendim-marrje por dhe në funksionimin e tij.
Plotë 525 mungesa të deputetëve janë regjistruar në sesionin pranveror, ku nga partitë shqiptare prijnë me mungesa deputetët e LVV-së me 140 mungesa, e ndjekur nga PDK me 86 mungesa, LDK me 64 dhe AAK me 13. Lista Serbe është e para për mungesa (189), për shkak të bojkotit të punës së Kuvendit.
Trendi i mungesë të deputetëve po vazhdon edhe në sesionin vjeshtor
Ky sesion i Kuvendit “nisi duke dështuar” për shkak të mungesës së kuorumit, thotë Haxholli.
Haxholli tha se sesioni pranveror është përballur me mungesë të deputetëve dhe fatkeqësisht, sipas saj po vazhdon trendi i njëjtë me atë të sesionit vjeshtor.
Ajo potencoi se nëse vazhdon kështu trendi i dështimit të seancave, atëherë sesioni vjeshtor do të jetë po i njëjti me atë pranveror, pra i dështuar.
“Ndonëse deputetët kanë pavarësi të plotë në mandatin e tyre, porse kjo nuk do të thotë që ata e kanë lirinë që mos ta kryejnë punën e tyre në kuvend”, shprehet Haxholli.
Se përgjegjësia kryesore i takon LVV-së, pajtohet edhe Haxholli.
“Shumica parlamentare e ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar kuorumin për mbarëvajtjen e seancave”.
Në çdo seancë plenare të sesionit pranveror kanë munguar 24.03% e deputetëve
Haxholli deklaroi se për 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca.
Nga janari deri në fund të muajit korrik Kuvendi zhvilloi 29 seanca, 10 prej të cilave ishin seanca plenare, kurse për shkak të mungesës së kuorumit kishte 7 vazhdime të këtyre seancave.
“Ndërsa, janë mbajtur edhe 6 seanca të jashtëzakonshme dhe 6 seanca solemne”, potencoi Haxhiu për Enigmën.
Më pak se 1% e agjendës legjislative 2024 të Qeverisë është miratuar gjatë këtij sesioni
Përgjatë sesionit janë miratuar gjithsej 36 projektligje, numër ky më i ulët se sa në sesionin e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin miratuar 44 projektligje. Shprehur në përqindje, agjenda e Kuvendit është përmbushur 28%.
Nga 36 projektligje të miratuara, vetëm 3 projektligje janë pjesë e agjendës legjislative të ekzekutivit të vitit 2024, që do të thotë se më pak se 1% e agjendës legjislative 2024 të Qeverisë është miratuar gjatë këtij sesioni. Të tjerat projektligje që u miratuan ishin ato që për vite kishin mbetur në procedurë.
“Për shembull në 3 muajt e parë të sesionit pranveror janë miratuar vetëm 2 projektligje, kurse 3 muajt pasues 34 të tjerë. Në anën tjetër, 44 projektligje ende mbesin në procedurë, ndër to 22 projektligje nga agjenda e Qeverisë e vitit 2024”, shton Haxholli.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, Haxholli tha se gjatë këtij sesioni nuk u ftua asnjëherë në raportim Kryeministri dhe nuk u organizuan interpelanca.
Megjithatë, deputetët parashtruan 110 pyetje për Qeverinë, ndonëse numri i pyetjeve krahasuar me sesionin pranveror të vitit të kaluar ishte më i ulët.
Pyetjet u përsëritën disa herë për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e ministrave, duke çuar në rritje të numrit të pyetjeve të parashtruara.
Qeveria në përgjithësi ofroi vetëm 33 përgjigje, ndërsa përgjigje nuk kanë ofruar Kryeministri Kurti të cilit i janë parashtruar pyetje 36 herë dhe disa nga ministrat e kabinetit si, ministri Xhelal Sveçla, ministrja Arbërie Nagavci e ministrja Rozeta Hajdari.
Ministri Hekuran Murati ka ofruar vetëm dy përgjigje ndonëse i janë parashtruar pyetje 28 herë.
Haxholli foli gjithashtu edhe për temat kryesore gjatë këtij sesioni, ndërsa prej tyre u veçuan diskutimet rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfundimi i draftimit të Kodit të Sjelljes nga Komisioni për Legjislacion, por i cili ende pret miratimin përfundimtar në seancë.
Puna e 14 komisioneve parlamentare gjatë sesionit pranveror u kornizua në gjithsej 193 mbledhje në të cilat janë përfshirë edhe dëgjimet publike dhe dëgjimet mbikëqyrëse. Ndërsa komisionet hetimore mbajtën 36 mbledhje. Komisionet ftuan në raportim 15 herë përfaqësuesit e ekzekutivit, mesatarisht një raportim për komision.
Në javën e fillimit të sesionit vjeshtor, KDI-ja kërkon nga Kuvendi të shmang mangësitë që kanë karakterizuar sesionin pranveror dhe sesionet e mëhershme, me planifikim të mirëfilltë të seancave dhe organizim të seancave çdo javë, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, rol më aktiv të kryetarit të Kuvendit në zbatimin e Rregullores, dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.
Po ashtu Kuvendi duhet të miratojë gjatë sesionit vjeshtor edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, i cili për disa muaj po pret miratimin përfundimtar. /GAZETA ENIGMA