Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është takuar në Prishtinë me deputetin gjerman Thomas Hacker, i cili është edhe raportues për Kosovën në Bundestag.
Krasniqi ka thënë se me Hacker, diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërpartiak mes PDK-së dhe FDP-së gjermane, edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta me Fondacionin Friedrich Naumann.
Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast hapën seminarin “Lidershipi dhe Qeverisja Liberale: Perspektivat për Kosovën”, organizuar nga FNF.
Kreu i PDK-së ka thënë se ky është një moment kyç për Kosovën dhe një mundësi për të rikthyer fokusin tek politika e përgjegjshme që ndërton një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Sot pata kënaqësinë ta mirëpres në Prishtinë deputetin gjerman Thomas Hacker, i cili është edhe raportues për Kosovën në Bundestag. Biseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërpartiak mes PDK-së dhe FDP-së gjermane, edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta me Fondacionin Friedrich Naumann (FNF).
Po sot, bashkë me z. Hacker, hapëm seminarin “Lidershipi dhe Qeverisja Liberale: Perspektivat për Kosovën”, organizuar nga FNF. Ishte një diskutim frymëzues mbi rëndësinë e liberalizmit në politikën tonë, ku bashkë me asamblistë nga Partia Demokratike e Kosovës, theksuam nevojën për një politikbërje të bazuar në ide e vlera dhe lidership të vendosur që adreson sfidat e kohës sonë.
Shpreh mirënjohje për partneritetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi me miqtë tanë gjermanë të partisë FDP. Ky është një moment kyç për Kosovën dhe një mundësi për të rikthyer fokusin tek politika e përgjegjshme që ndërton një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Unë jam i bindur për rëndësinë që vlerat liberal-demokratike kanë për të ardhmen e Kosovës si kundërpeshë ndaj populizmit dhe bazë për zhvillim e vendit dhe mirëqënien e qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi.