Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se historia e Kosovës si të suksesshme dhe të fuqishme, është shembull se si diplomacia i doli zot krizave më të mëdha, raporton Gazeta Enigma.
“Historia jonë është dëshmi që përkujton se sa e fuqishme dhe e rëndësishme është diplomacia si një përgjigje ndaj krizave dhe për t’i ndaluar ato. Diplomacia është çelësi i zgjidhjeve të krizave, mbrojtja e nderit të njerëzve, dhe stablitetit”, tha Gërvalla.
Ajo u bëri thirrje diplomatëve të rinj për ta shijuar Kosovën, kulturën e saj, mikpritjen e historinë.
“Sa jeni këtu, ju ftoj të vizitoni Kosovën, shijojeni historinë tonë, ushqimin tonë, kulturën tonë dhe ngrohtësinë e njerëzve tanë. Kënaquni, eksploroni dhe merrni kohën që të krijoni momente të paharrueshme”, tha ajo në 10-vjetorin e Akademisë Diplomatike, në Pejë.