Rritja e pagave nga Qeveria përballë pakënaqësive të opozitës e sindikatave

Rritja e pagave nga Qeveria përballë pakënaqësive të opozitës e sindikatave

Pak ditë më parë Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se ka rritur pagat për punëtorët e sektorit publik në Kosovë, rritje kjo e vlefshme nga janari i vitit 2025.

Rritje kjo prej të cilës do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, shkruan Gazeta Enigma.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media njoftoi se rritja e pagës do të bëhet përmes dy fazave.

Një pjesë e pagave do të rritej nga janari derisa pjesa e dytë nga korriku i 2025-tës.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.

Mirëpo një vendim të tillë të Qeverisë duket se nuk e pritën mirë sindikatat që përfaqësojnë grupe të caktuara.

Rrahman Jashari për Gazeta Enigma ka folur më shumë për vendimin e Qeverisë, derisa e ka quajtur “irrituese“ këtë rritje.

“Mund të them se SBAShK-u është i pakënaqur me këtë veprim të kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, fillimisht nuk jemi konsultuar as ne e as sindikatat tjera për këtë çështje dhe konsiderojmë se nëse e përkthejmë në vlerë monetare, lëvizja që ata pretendojnë ta bëjnë në koeficient, sjell një ngritje diku rreth 55 euro, që është tepër e vogël, krahasuar me ngritjet e vazhdueshme të çmimeve dhe kjo ngritje e shton më tepër pakënaqësinë në sektorin e arsimit por besoj edhe në sektorët tjerë” u shpreh Jashari.

Më tej i pyetur nëse do të ketë veprime sindikaliste lidhur me këtë çështje, kryetari i SBAShK-ut tha se duhet të shohim cili është vullneti i anëtarësisë, derisa nuk përjashtoi se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Në anën tjetër edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës ka pasur ankesa për vlerën e propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave.

Përmes një kumtese ata janë shprehur se nuk pajtohen me propozimin.

“SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”, thuhet në kumtesë.

Të pakënaqura e kritika patën edhe partitë opozitare për vendimin e Qeverisë.

Madje deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu reagoi menjëherë pas këtij vendimi duke ironizuar paksa. Ajo tha se prej që PDK-ja e ka kandiduar për kryeministër Bedri Hamzën, qeveria “u mbyt duke i ‘ngritë’ pakat”.

Mirëpo Kryeministri, gjatë asaj dite ishte shprehur duke thënë se qeveria e tij po i rritë pagat për çdo fillim vit, përkundër qeverisjeve të kaluara, kur sipas tij, rriteshin vetëm një herë brenda mandatit.

Ndërkaq analisti politik, Gazmir Raci shprehet se një rritje e tillë është brenda kornizave të ligjit.

“Ligji thotë se duhet të ketë rritje çdo vit, dhe rritja ka ndodh çdo vit, dhe kjo nuk është rritje që njerëzit kanë pritë në masën e madhe por është rritje që Ministria e Financave e ka konsideruar si e përballueshme për buxhetin që ka shteti i Kosovës”, ka thënë ai për Enigmën.

Tutje Raci shprehet se nuk e sheh këtë si veprim për fushatë elektorale, sepse po të ishte i tillë nuk do të ndahej në dy pjesë, por do të vendosej për rritje të plotë vetëm në janar.

Kujtojmë se Kurti është shprehur se kjo rritje do t’i kushtojë buxhetit rreth 120 milionë euro në vit. /Gazeta Enigma

Related Articles