BE pa agjendë për dialogun, Asociacioni, “tema e nxehtë” që shpaloset të mërkurën

BE pa agjendë për dialogun, Asociacioni, “tema e nxehtë” që shpaloset të mërkurën

Bashkimi Evropian (BE), si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka agjendë të qartë se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin e së mërkurës, më 7 korrik, shkruan Gazeta “Enigma”.

I pyetur për temat kyçe të këtij takimi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Gazetën “Enigma”, s’ka dhënë detaje, porse e ka konfirmuar mbajtjen e takimit në nivel të kryenegociatorëve.

“Mund të konfirmoj se takimi i ardhshëm në kuadrin e Dialogut Beograd-Prishtinë në nivelin e kryenegociatorëve do të zhvillohet në Bruksel këtë të mërkurë 7 Korrik”, ka thënë Stano në një përgjigje për “Enigmën”.

Ndërkohë se a do të jetë implementimi i Asociacionit të Komunave serbe pjesë e këtyre diskutimeve ende nuk është konfirmuar nga pala kosovare. Një gjë e tillë është thënë vetëm nga përfaqësues të Serbisë, të cilën thonë se fokusi i takimit do të jetë pikërisht Asociacioni.

Delegacioni i Prishtinës do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ndërsa Beogradin do ta përfaqësojë Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

“Kosova të gjejë rrugë për formimin e Asociacionit”


Ndërkaq nga Zyra e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, ditë më parë për Gazetën “Enigma”, kanë theksuar se “Kosova ka ndërmarr një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin Asociacionit të Komunave serbe” dhe “i takon Kosovës të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar këtë marrëveshje”.

“Pozicioni i BE-së për Asociimin/Komunitetin e komunave Serbe është shumë i njohur deri tani dhe i pandryshuar. Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira, dhe marrëveshja asnjëherë nuk është anuluar”, thuhet tutje në përgjigjen e BE-së.

Petkoviq: Tema e parë në dialog të mërkurën është Asociacioni, Kurti s’e kupton realitetin

Kurse, Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq deklaroi të hënën se raundi i ri i dialogut teknik Kosovë-Serbi të mërkurën do të fillojë me temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sigurisht që do të jetë tema kryesore për ne. Ne gjithashtu do të flasim për të zhdukurit, sepse është çështje e rëndësishme që rëndon të dy palët dhe nuk është vetëm çështje politike por edhe çështje civilizimi”, ka thënë Petkoviq në TV Happy.

Sipas tij, një nga temat do të jetë edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

“Ju e dini që unë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë jemi ndaluar ta vizitojmë provincën tonë jugore disa herë. Ne gjithashtu do të diskutojmë mbi sigurinë e serbëve, si dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit, e cila ishte tema e dialogut teknik vitin e kaluar”, tha Petkoviq.

Ai tha se kryeministri i Kosovës nuk do t’i pranojë marrëveshjet e nënshkruara para tij mes dy palëve, duke thënë se ai nuk e kupton realitetin.

“Ai nuk e kupton kohën, nuk e kupton realitetin dhe rrethanat politike botërore dhe mohon gjithçka. Ai nuk do t’i pranojë marrëveshjet e nënshkruara sepse ato ishin nënshkruar nga përfaqësuesit e Prishtinës para tij. Sidoqoftë, ai duhet të kuptojë që historia nuk fillon me të, por ka detyrime që Prishtina i ndërmori në periudhën para tij dhe ajo që u negociua më parë, sot duhet të respektohet. Kjo është ajo që ne do të kërkojmë në Bruksel, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara”, ka thënë ai, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Opozita kërkon nga ekzekutivi të ruhet Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit

Në takimin e së mërkurës me Serbinë, përfaqësuesit e palës kosovare duhet ta ruajnë rendin kushtetutës dhe sovranitetin e vendit. Kështu ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala për Gazetën “Enigma”.

“Në çdo proces të negocimit bazament është Kushtetuta e Kosovës. Çdo shmangie nga parimet kushtetuese për ne ka qenë dhe mbetet e pa pranueshme”, ka thënë ai kur u pyet lidhur me diskutimet për formimin e Asociacionit.

Sipas tij pala kosovare ka marrë mandatin nga qytetarët për të respektuar Kushtetutën e Kosovës, para së gjithash. “Ne i besojmë Kushtetutës dhe ata që e përfaqësojnë vendin kanë obligim kushtetutar që të jenë brenda kornizës. Kanë marr mandatin dhe duhet të jenë të dinjitetshëm dhe të respektojnë kushtetutën”, theksoi tutje ai.

Sa i përket zbatimit të Asociacionit, kryeministri Albin Kurti e ka përsëritur disa herë radhazi se Kosova nuk do të themeloj Asociacion mbi baza etnike. Kjo pasi sipas tij një gjë e tillë nuk parashihet me Kushtetutën e vendit. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, më 15 qershor të këtij viti u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të takimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Nga ky takim palët dolën me dallime të mëdha në qëndrime se si e shohin marrëveshjen finale. /Gazeta Enigma.

Related Articles