BE për Gazetën “Enigma”: Kosova të gjejë një rrugë që ta zbatoj Asociacionin, e ka obligim

BE për Gazetën “Enigma”: Kosova të gjejë një rrugë që ta zbatoj Asociacionin, e ka obligim

“Kosova ka ndërmarr një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin Asociacionit të Komunave serbe” dhe “i takon Kosovës të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar këtë marrëveshje”.

Kështu kanë deklaruar në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, nga Zyra e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk do të ketë asociacion mbi baza etnike.

“Pozicioni i BE-së për Asociimin/Komunitetin e komunave Serbe është shumë i njohur deri tani dhe i pandryshuar. Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira, dhe marrëveshja asnjëherë nuk është anuluar”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Kundërshtitë e Kurtit për “Zajednicën”, dhe insistimi i ShBA-ve



“Zajednica është kancer për Kosovën” – kështu i referohej kryeministri i Kosovës, Albin Kurti marrëveshjes për themelimin e Asociacionit për Komunat serbe, në kohën sa ishte në opozitë, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Për këtë çështje madje partia me të cilën udhëheq Kurti aktualisht, kishte protestuar ë forma të ndryshme në Kuvendin e Kosovës, e jashtë tij.

Me të ardhur në pushtet, kundërshtimet e tij për këtë marrëveshje u vënë sërish në pah.
Kjo pas, deklarimit të ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett i cili tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Duke iu referuar kundërshtimit të qeverisë që të çojë përpara formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ambasadori Kosnett tha se “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kurtit, i cili deklaroi sërish se Kosova nuk do të themeloj Asociacion mbi baza etnike.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti, shkruan tutje Gazeta “Enigma”

Sipas tij, edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015, ka konstatuar se nuk mund të krijohet një Asociacion i tillë.

Ndërkaq, në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mëton që të bashkojë dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

/Gazeta Enigma.

Related Articles