Një prej dyerve të pakta që hapet për përdoruesit e substancave narkotike mbetet Qendra për këshillimin dhe trajtimin e varësisë ndaj drogave “Labyrinth”, e cila aktualisht gjendet në tri komuna, Prishtinë, Prizren e Gjilan.
Kjo qendër e cila merret me parandalimin e abuzimit të drogave dhe alkoolit, dhe trajminin e personave që janë të varur nga to, trajton çdo ditë mesatarisht rreth 40 persona që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Kosova s’ka shifra zyrtare për përdoruesit e substancave narkotike, por sipas organizatave rreth 40 mijë është aktualisht numri i tyre. Kjo kategori vlerësohet se është lënë ‘në dorë të fatit’, pasi shteti nuk ka një strategji që i rehabiliton e u ofron kushte për trajtim atyre.
Nga Qendra “Labyrinth” theksojnë se numri i përdoruesve të drogave po rritet çdo ditë, e sipas tyre ende s’ka një strategji mirëfilli për trajtimin e tyre.
“Nuk ka aktualisht ndonjë program për integrim për përdorues të drogave. Në bazë të data bazës tonë mosha mesatare e fillimit të përdorimit është 16 vjeç, ndërsa mosha mesatare e të gjithë përdoruesve është rreth 28 vjeç”, theksojnë ata.
Nga kjo qendër thonë se rreth 35 mijë përdorues të drogave janë në Kosovë, e 10 mijë prej tyre përdorues të varur.
Sa i përket komuniteteve serbe në Kosovë, sipas “Labyrinth”, fenomeni i përdorimit të narkotikëve është po aq alarmant sa edhe në komunat me shumicë shqiptare. 40 persona nga komunitetet janë duke u trajtuar në këtë qendër.
Safet Blakaj, drejtor i “Labyrinth” thekson rëndësinë e parandalimit të hershëm, rolin e familjes, si dhe vullnetin e vetë përdoruesve për të nisur procesin e trajtimit të varësisë nga droga, i cili, thotë ai, zgjat mesatarisht rreth nëntë muaj.
“Familja duhet të reagojë në fazat e hershme që trajtimi të jetë më i suksesshëm, por më e rëndësishmja është vullneti i vetë personit për të filluar procesin e trajtimit”, ka thënë ai.
Kosto e lartë e trajtimit të narkotikëve, i lë ata në rrugë
Se përdoruesit e narkotikëve nuk trajtohen siç duhet e konfirmon edhe Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, i cili thekson nevojën imediate që shteti të ofroj zgjidhje për këtë kategori.
Ai si shqetësim kryesor e ngrit koston e lartë për rehabilitimin e këtyre personave, që shpeshherë ndikon që ata të mbesin rrugëve.
“Fillimisht rehabilitimi i tyre në Kosovë lë për të dëshiruar sepse , as nuk ka kushte e as potencial profesional për trajtimin e tyre e lëre më për integrim. Trajtimi i tyre është i kushtueshëm dhe shumica e familjeve nuk mund t’i përballojë këto shpenzime. Trajtimi i tyre bëhet kryesisht pasi ata bëjnë shkelje ligjore dhe dërgohen me vendim të gjykatës në trajtim të detyrueshëm”, deklaron Shala.
Siç thotë ai “të pakta janë ato familje që kanë mundësi t’i dërgojnë në Kroaci apo ndonjë shtet tjetër sepse kostoja e trajtimit kushton me qindra mijëra euro”.
Ai thotë se për këtë kategori institucionet e Kosovës nuk po bëjnë mjaftueshëm. “Numri i vartësve nga narkotikët është rritur shumë dhe është prekur pjesa më e ndjeshme dhe me vitale e shoqërisë, rinia. Përfundimisht , institucionet e Kosovës bëjnë shume pak për ketë kategori, sidomos në parandalimin e rasteve andaj merren kryesisht me pasoja”.
“Është e rëndësishme që përdoruesit e substancave narkotike të integrohen në shoqëri duke u ofruar socializim, që të ndjehen të mbështetur”, thotë sociologia, Flaka Ymeri.
“Në Kosovë mungojnë strategji për shumë kategori e sidomos për përdoruesit e substancave narkotike sepse duhet të kenë një punë të sigurt apo vend ku duhet të kalojnë kohën për të dal nga ajo gjendje”, thekson Ymeri, teksa shton se “trajtimi i dobët i tyre, kontribuon në rritjen e rasteve të tilla”.
Strategjia e Qeverisë
Për të adresuar problemet me përdorimin e substancave narkotike në Kosovë, Qeveria e Kosovës, në prill pati miratuar strategjinë kundër drogës për vitin 2024-2028, ku parashihen disa objektiva.
“Ndërprerja e kanaleve të distribuimit të drogës në masa të vogla dhe mesme, zvogëlimi i kërkesës për drogë, parandalimi i përdorimit të drogës, sigurimi i qasjes dhe forcimi i shërbimeve të trajtimit, kujdesit dhe rehabilitimit të përdoruesve të drogës”, janë disa nga objektivat e parapara nga ekzekutivi.
Vend në strategji gjen edhe “Risocializimi dhe ri-integrimit në shoqëri i përdoruesve të drogës”, porse nuk dihet në ç’masë është respektuar kjo objektivë.
“Kufizimi i përdorimit të drogës në burgje dhe adresimi i nevojave shëndetësore dhe shoqërore të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit dhe pas lirimit”, po ashtu parashihet aty.
Strategjia ka edhe Planin e Veprimit të saj ku parashihen aktivitete të veçanta për arritjen e objektivave të caktuara.
Parashihet të ndodhë “Hartimi i Ligjit të ri për Substancat Psikoaktive dhe Barnat Psikotrope. Themelimi i Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit në kuadër të PSRK sipas rasteve e ndërlidhura me drogat. Hartimi i PSO-së së re të Policisë për fushën e hetimit të drogave. Organizimi i takimeve të rregullta koordinuese për të vlerësuar përpjekjet dhe për të planifikuar veprime operative-hetimore. Avancimi i sistemeve dhe softuerëve në kuadër të Policisë së Kosovës për analiza në fushën e drogave. Ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve të Drejtorisë së Inteligjencës dhe Drejtorisë së Anti-Drogave në kuadër të PK për profilizimin e grupeve kriminale që trafikojnë drogat. Zhvillimi i operacioneve policore ku përfshihet bastisja dhe konfiskimi i drogës, provave materiale, dhe parave e pasurive të paligjshme që lidhen me rastet e drogave, etj”.
Ndonëse Gazeta ka adresuar pyetje në Zyrën për Informim të ekzekutivit, lidhur me rezultatet konkrete të kësaj strategjie por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Autore: Arlinda Kqiku
Ky artikull financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).
Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Qendrës për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) apo Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).