Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se nesër dhe pasnesër do të zhvillohen trajnime ushtarake në terren në fshatrat Butovc dhe Zllatar të Komunës së Prishtinës.
Gjatë kësaj periudhe, do të ketë lëvizje të automjeteve ushtarake, të cilat mund të krijojnë lëvizshmëri të shtuar në ato zona, shkruan Gazeta Enigma.
FSK-ja ka theksuar se këto trajnime janë të rëndësishme për përgatitjen dhe forcimin e aftësive operacionale të trupave të saj, dhe janë pjesë e aktiviteteve të zakonshme të trajnimit.
Sipas njoftimit, ky është një trajnim i planifikuar dhe nuk ka arsye për shqetësim.
“Luanët” e Kosovës, demonstruan disa aksione edhe të martën, në Babaj të Bokës së Gjakovës. Aty u bashkuan mbi 1 mijë ushtarë.
E gjithë kjo në kuadër të ushtrimit fushor me titull “Ujku i Çeliktë”, ku pjesë mori edhe presidentja Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti./GAZETAENIGMA/