Elezi: Rreth 35 mijë votues u regjistruan jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit

Elezi: Rreth 35 mijë votues u regjistruan jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit

Më 9 shkurt 2025, Kosova do të mbajë zgjedhjet e ardhshme, një proces që shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të vendit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se rreth 35 mijë qytetarë të regjistruar jashtë vendit kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë proces, duke dëshmuar angazhimin e diasporës për të ndikuar në të ardhmen politike të Kosovës.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 13 dhjetor, në orën 21:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike (http://diaspora.kqz-ks.org) janë aprovuar 34,757 kërkesa për regjistrim, ndërsa 2,150 janë refuzuar”, tha Elezi.

Tutje ai ka njoftuar se “në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”.

“Nga 34,757 aplikime të aprovuara, 8,942 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 5,489 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 20,326 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, deklaroi Elezi për “Enigmën”.

Nëse një shtetasi i refuzohet aplikimi, ky nuk është një refuzim përfundimtar, pasi i njëjti ka të drejtë të ri-aplikojë

“KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, ka përfunduar Elezi.

Kjo përfshirje masive e votuesve nga diaspora nënvizon rëndësinë e komunitetit shqiptar jashtë vendit në formësimin e politikave dhe institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, partitë politike në Kosovë po përgatiten për një garë të fortë elektorale, me fokus në çështjet kryesore që prekin qytetarët si zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale dhe integrimi ndërkombëtar. /Gazeta Enigma/

. .

Related Articles