Mbi vendin tonë fundjava pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm me reshje bore dhe temperatura të ulëta.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK), ditën e shtunë nuk përjashtohen reshjet e borës, ndërsa e diela parashikohet të jetë kryesisht me vranësira, intervale me diell dhe temperatura të ulëta, të shoqëruara me ngrica dhe mjegull në disa zona.
Kjo situatë meteorologjike është rezultat i masave të ajrit me presion të ulët atmosferik, të cilat vijnë nga pjesa perëndimore e kontinentit.
Sipas IHK, të shtunën moti parashikohet kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme bore. Temperaturat minimale nga -2 deri në 0°C; maksimale nga 1 deri në 2°C, kurse era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-8 m/s.
Ndërsa të dielën moti do të jetë i vranët me intervale me diell.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri në -2°C; kurse maksimalet nga 1 deri në 4°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-3 m/s.