Përtej bindjeve fetare, festat e fundvitit bashkojnë gjilanasit

Përtej bindjeve fetare, festat e fundvitit bashkojnë gjilanasit

Përkundër bindjeve fetare qytetarët e Gjilanit e kanë një hapësirë ku mblidhen për të ndjerë aromën e Krishtlindjeve dhe festave të fundvitit, shkruan Gazeta Enigma.

Një çokollatë e nxehtë, një verë apo edhe një çaj nën shoqërinë e njerëzve të zemrës, pranë stufës që lëshon nxehtësi në acarin e netëve të dimrit të dhjetorit, për shumëkë është mbrëmja ideale.

E netë të tilla gjatë fundit të vitit organizohen në një lagje në qytetin e Gjilanit, saktësisht në oborrin e Qendrës Ungjillore ‘Dardania’.


Me të rënë errësira, oborrit të kësaj qendre i shtohet shkëlqimi nga dritat festive sipër shtëpizës e cila mbledh pjesëtarë të komunitetit, por jo vetëm. Qendra vizitohet edhe nga qytetarë të tjerë që nuk i përkasin besimit të krishterë.

Të paktën kështu është shprehur për Gazeta Enigma, pastori Paulin Veleçiku.

Veleçiku i cili tash e disa kohë është në shërbim të kësaj kishe, ka ndarë më shumë detaje nga tërë organizimi përgjatë festave të fundvitit.

“Për ne Krishtlindja nuk është thjesht një ngjarje kalendarike, për ne është festa që Perëndia e ka dëshmu dashurinë e vet, dhe ne jemi mësuar që ta dëshmojmë këtë dashuri tek të tjerët, prandaj në këtë kohë kemi vendos një shtëpizë në oborrin e qendrës tonë, aty ofrojmë për njerëzit e komunitetit, kalimtarët, verë të nxehtë, çaj dhe çokollatë të nxehtë, dhe njerëzit mund të ofrohen dhe të rrinë, të kalojnë kohë të mirë”, tha për Gazetën Enigma ai.

Pastori nga Gjilani ka treguar edhe për interesimin e qytetarëve për t’i kaluar mbrëmjet pranë shtëpizës që kanë rregulluar.

Madje ai flet edhe për një detaj të cilin e ka vënë re, se ata që ndalojnë për të kaluar kohë aty janë të besimeve të ndryshme fetare.

E kjo tregon më së miri sipas tij tolerancën fetare që gjilanasit kanë mes vete.

“Interesimi ka qenë i mjaftueshëm, madje edhe shumë interesant. Çka më ka bërë përshtypje është se njerëzit, kalimtarët e rastit ndalen, ne ofrojmë pije falas, ka njerëz që vijnë edhe japin vet diçka, kontribuojnë diçka, kemi marrë komplimente për atë çka bëjmë. Ka prej atyre që edhe e kanë shfytëzuar hapësirën për të gjiruar video-klip, e kështu me radhë”, tha ai.

“Aty vijnë njerëz të besimeve të ndryshme dhe kjo nuk na pengon neve aspak,” shtoi tutje pastori.


E përpos atmosferës që sjellin në qytetin e Anamoravës, pjesëtar të kësaj qendre në fundvit gëzojnë dhe të vegjëlit.

“Ne e kemi këtë traditë, kemi marrë dhuratat e Krishtlindjes dhe i kemi shpërnda në disa shkolla, jemi duke parë mundësitë për të shpërndarë edhe në vende të tjera, nëse mund të sigurojmë do t’i shpërndajmë edhe më tej sepse në fakt Krishtlindja është festa e dhuratës, perendia ka bërë dhuratën më të madhe për njerëzimin andaj edhe ne duam ta dëshmojmë këtë”, tha ai.

Për festat e fundvitit edhe atmosferën pranë kësaj qendre, për Gazeta Enigma ka folur edhe një qytetar, që kalon kohë në ambientin e qendrës Ungjillore “Dardania”. Ai bashkë me familjen e shoqërinë, shpeshherë ndalet aty që të shijoj pijet e nxehta gjatë netëve të ftohta të dimri.

“Festat na bashkojnë, si këto të fundvitit. Kalojmë kohë të mirë këtu bashkë me shoqërinë, familjen, diskutojmë për të kaluarën, shohim të ardhmen, argëtohemi, dhe kjo na jep një ndjenjë goxha të mirë neve që vijmë shpesh dhe e frekuentojmë këtë ambient”, tha ai.

“Njerëzit të japin nga bujaria e tyre më shumë, jo nga teprica, të japin edhe nga qindarka e fundit, si dhe të japin sa më shumë dashuri. Dashuria është ajo që do t’i bashkojë njerëzit dhe dashuria e Zotit le të na mbush zemrat tona” – ky ishte edhe mesazhi që nga kjo qendër dëshiruan ta përqonin për festat e fundvitit. /Gazeta Enigma



Related Articles