Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa së fundmi ka pranuar dy ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas këtyre ankesave PZAP ka dënuar PDK-në me 8 mijë euro gjobë.
Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e PDK-së për deputete, Blerta Deliu-Kodra, ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një video me tekst shoqërues, të realizuar në hapësirën e brendshme të Kuvendit të Kosovës në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet.
Lidhur me këtë rast PZAP ka pranuar ankesën e VV-së dhe ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar ankesën duke thënë se kandidatja për deputete Blerta Deliu-Kodra këtë video e ka realizuar dhe publikuar më 13.12.2024, respektivisht një ditë pas publikimit të listave për deputetë të subjekteve politike.
Sipas tyre, këtu nuk ka ndonjë shkelje.
Ndërkaq, LVV është ankuar për të njëjtën arsye edhe për kandidaten për deputete Ariana Musliu-Shoshi.
Edhe për këtë rast, PZAP ka gjobitur PDK-në me 4 mijë euro.
Lidhur me ketë rast, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga PZAP që ankesën ta refuzojë si të pabazuar me pretendimin se deputetja Ariana Musliu-Shoshi këtë fotografi/video e ka realizuar në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Për me tepër, fotografia/video e Ariana Musliu Shoshi është realizuar shumë kohë me parë (më datë 31 dhietor 2024 dhe kjo mund te dëshmohet nga kamerat e sigurisë se Kuvendit) dhe jo pas fillimit të fushatës zgjedhore, respektivisht me date 17 janar 2025, sic pretendohet nga ana e ankuesit”- thuhet në përgjigjen e PDK për PZAP. PDK ka afat prej 15 ditësh që t’i paguajë gjobat. /Gazeta Enigma