Fokusimi tek numri i lindjeve nuk lejon që të kuptohet situata, shkruan Alanna Armitage në Ditën e sotme Botërore të Popullsisë. Rëndësi ka që shtetet të marrin forma në të cilat njerëzit të duan të jetojnë dhe të rrisin familjet e tyre.
Pandemia e COVID-19 mund ta ketë përshpejtuar, së paku përkohësisht, trendin global drejt niveleve më të ulëta të fertilitetit. Statistikat tregojnë një rënie të mprehtë të numrit të lindjeve në shumë vende evropiane në fund të vitit 2020 – nëntë muaj pas vendosjes së mbylljeve të para.
Lajmet në lidhje me “rënien e lindjeve” nga COVID-19 kanë nxitur ankth në disa vendeve. Goditja e pandemisë dhe ndikimi i saj në zgjedhjet riprodhuese të njerëzve, erdhën në një kohë kur nivelet e lindshmërisë veçse ishin shumë të ulëta në mbarë Evropën. Në Evropën Lindore ky problem është zmadhuar edhe nga emigracioni: njerëzit jo vetëm që kanë më pak fëmijë, por edhe janë larguar masivisht nga vendet e tyre në kërkim të mundësive më të mira diku tjetër. Për pasojë, popullsitë janë zvogëluar. Vende si Bullgaria ose Letonia kanë humbur një të katërtën e popullsisë që kishin në fillim të viteve 1990.
Nuk e dimë nëse lindjet do të ringrihen pas pandemisë. Historikisht, kështu ka ndodhur pas rënies së shkallës së lindshmërisë gjatë krizave të mëdha. Të dhënat e mbledhura nga Tomas Sobotka, studiues i mirënjohur i demografisë, tregojnë se muajve të fundit lindjet në Evropë kanë treguar shenja reale të ringritjes. Shumëçka varet nga sa kohëzgjatja e ndikimit social dhe ekonomik të pandemisë.
Veçse fokusimi tek numri i lindjeve nuk lejon që të kuptohet situata e përgjithshme. Në vend që të shqetësohemi për ngritjet dhe uljet e numrit të popullsisë, ka ardhur koha ta kuptojmë realitetin se gjasat janë që lindshmëria e ulët të kthehet në normë. Andaj, duhet të vrasim mendjen për atë që duhet bërë që t’i përgatisim ekonomitë dhe shoqëritë tona për këtë të ardhme të pashmangshme demografike.
Ky nuk është ndryshim i lehtë. Logjika dikton që lindjet e larta dhe rritja e popullsisë janë të dëshirueshme për vendet, shenja të pasurisë dhe fuqisë kombëtare. Jemi mësuar të mendojmë sipas këtyre kategorive. Dhe është e vërtetë që kur popullsitë zvogëlohen, ekonomitë mund të tkurren në terma absolutë.
Por kjo nuk do të thotë që njerëzit do varfërohen. Në fakt, prosperiteti për kokë mund të rritet teksa zvogëlohet fuqia punëtore, kurse pagat ka gjasa të rriten me shtimin e produktivitetit përmes automatizimit. Popullsitë më të vogla i bëjnë mirë edhe planetit, duke qenë se ulja e popullsisë ul edhe konsumin, shkakton më pak presion mbi burimet e pakta dhe sjell më pak ndotje.
Sigurisht, kalimi nga rritja e popullsisë në ulje të popullsisë mund të jetë sfidues, siç dëshmohet nga shumë vende, veçanërisht në Evropën Lindore. Shoqëritë po plaken me shpejtësi dhe gjithnjë e më pak njerëz në moshë pune duhet të punojnë që të mbajnë një numër gjithnjë në rritje të të moshuarve. Zonat rurale po shpopullohen teksa banorët e tyre gjejnë mundësi më të mira në qytete të mëdha ose jashtë vendit. Sistemet sociale po përjetojnë trysni, ndërkohë që është e kushtueshme të mirëmbahen infrastruktura dhe shërbimet në rajone pak të populluara.
Por këto sfida janë të menaxhueshme. Jo vetëm kaq: nevoja për t’i adresuar krijon mundësi për inovacion që mund t’i katapultojnë vendet drejt një të ardhmeje më të begatë. Qytete si Kluzhi në Rumani ose Beogradi në Serbi janë kthyer si qendra kryesore për industrinë e teknologjisë, duke tërhequr talente nga brenda vendit, madje edhe nga jashtë. Në mbarë Evropën Lindore emigrantët janë kthyer në shtëpi për shkak të pandemisë, duke sjellë me vete shkathtësi, njohuri dhe rrjete të çmuara. Qeveritë po eksperimentojnë me metoda që nxisin kontributin kyç të të moshuarve dhe i integrojnë ata më mirë në ekonomi dhe shoqëri, që i hapin më shumë tregjet e punës dhe jetën publike për gratë, pakicat dhe grupet e tjera të margjinalizuara, duke shfrytëzuar resurse deri më tani të përdorura nën kapacitetin e tyre. Madje po flitet edhe për imigracionin, temë kjo tabu në pjesën më të madhe të Evropës Lindore. Të gjitha këto kontribuojnë për t’i bërë vendet më të forta për trajtimin e sfidave demografike.
Mos do të thotë kjo se lindjet nuk kanë aspak rëndësi? Jo tamam. Ato kanë rëndësi sepse janë rrëfimi i të drejtave të mohuara të riprodhimit. Njerëzit në mbarë Evropën zakonisht thonë se duan dy fëmijë, por shumë përfundojnë me fëmijë të vetëm apo pa fëmijë. Tek ky hendek mes fertilitetit të dëshiruar dhe atij real duhet të fokusohen qeveritë – jo me synimin për të rritur numrin e popullsisë, por për t’u ndihmuar njerëzve t’i realizojnë të drejtat e tyre riprodhuese dhe të jenë në gjendje të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë.
Kjo kërkon heqjen e shumë pengesave me të cilat përballen njerëzit kur krijojnë familje: pasiguritë ekonomike, koston e lartë e strehimit, infertilitetin në rritje, mungesën e kujdesit të përballueshëm ekonomikisht për fëmijët, dhe pritshmërinë që gratë t’i lënë anash karrierat e tyre dhe ta mbajnë të vetme barrën e kujdesit.
Progresi drejt krijimit të shoqërive që kujdesen më shumë për familjen dhe ofrojnë më shumë mundësi të barabarta për femrat dhe meshkujt, mund të çojë në shtimin e lindjeve, duke qenë se njerëzit do të ndihen më të sigurt për krijimin e familjes dhe numrin e fëmijëve që dëshirojnë. Por as kjo nuk është e garantuar, siç tregon shembulli i rënies së lindjeve në Skandinavinë që e mbështet aq shumë familjen, madje as nuk duhet të jetë motivi për ecjen drejt politikave mbështetëse për familjen. Vlerë në vetvete kanë masat që duhen për t’u siguruar që njerëzit të munden të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë, duke përmirësuar mirëqenien e njerëzve dhe duke e shtuar potencialin zhvillimor të vendeve.
UNFPA, Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara, e kupton rëndësinë e ndryshimeve demografike për formësimin e të ardhmes së vendeve, dhe po i mbështet vendet për forcimin e reziliencës së tyre demografike dhe për shfrytëzim sa më të madh të mundësive që u jepen.
Sa më shpejt ta pranojmë që zgjidhja e problemeve demografike të Evropës nuk qëndron në shtimin e lindjeve, aq më shpejt do të jemi në gjendje ta zgjerojmë fokusin tonë mbi atë që ka vërtet rëndësi për adresimin e krizës së perceptuar të popullsisë në kontinent: pra, tek aftësia jonë për të krijuar vende në të cilat njerëzit duan të jetojnë dhe të krijojnë familje.
Alanna Armitage është Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore