Pas rreth një muaji në arrati, i dyshuari për plagosjen e një personi në rrugën “Ferid Curri” në Dragodan, ka vendosur të dorëzohet në Polici. I dyshuari tashmë është dërguar në mbajtje dhe rrezikon të përfundojë në paraburgim.
Sipas Sinjalit, Shkodran Humolli, rreth 35-vjeçar, është paraqitur gjatë ditës së djeshme në Polici dhe pas përfundimit të procedurave, është ndaluar për 48 orë.
Humolli dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, rast ky që ndodhi mbrëmjen e 3 janarit.
Për motive që dyshohet se lidhen me një konflikt mes palëve, Humolli kishte qëlluar me armë zjarri viktimën Fatlum Jetullahu dhe kishte arritur që të ikë nga vendi i ngjarjes.
Ai dyshohet se kishte gjuajtur pesë herë në drejtim të viktimës.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit pritet të ushtrojë kërkesën për masën e paraburgimit dhe brenda afatit ligjor do të mbahet seanca dëgjimore ndaj tij.