Dita e 17 Shkurtit 2008 shënoi një pikë kthese historike për Kosovën, duke e kurorëzuar një rrugëtim të gjatë drejt lirisë dhe shtetësisë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ky moment ishte fryt i sakrificës së shumë brezave dhe përpjekjeve të pandalshme politike e diplomatike.
Dy nga pjesëmarrësit në seancën solemne të shpalljes së Pavarësisë, të cilët ishin edhe nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, Xhavit Haliti dhe Donika Kadaj-Bujupi rrëfejnë emocionet e asaj dite për Gazetën “Enigma”
Xhavit Haliti, një nga figurat me ndikim në lëvizjen kombëtare i cili edhe ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të UÇK-së, ishte një zë i fortë politik në kohën e shpalljes së pavarësisë. Si deputet dhe pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai ishte i angazhuar në proceset vendimtare të ndërtimit të shtetit të ri. Me kalimin e viteve, ai ka mbajtur pozita të rëndësishme në politikën kosovare, duke vazhduar të jetë pjesë e institucioneve shtetërore.
Ndërsa Donika Kadaj-Bujupi, një politikane e re dhe aktive në kohën e shpalljes së pavarësisë, ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një mbështetëse e fuqishme e proceseve shtet formuese. Me kalimin e kohës, ajo ka ndërruar disa herë pozicion politik, por ka mbetur një figurë e rëndësishme në debatin publik dhe politikën e vendit.
Emocionet e përjetuara nga ata që nënshkruan deklaratën e Pavarësisë së Kosovës
“Emocionet e para fillimisht kanë qenë kur është themeluar UÇK-ja, e dyta kur kemi krijuar institucionet, dhe ajo e shpalljes së Pavarësisë ka qenë një ditë shumë e madhe për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën në përgjithësi”, tha Haliti.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Hailiti, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka rrëfyer emocionet e nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.
“Çështja dallon, sepse Pavarësia nuk ka ardhur brenda ditës, nuk ka pasur ndonjë sekret, ne e kemi ditë datën dhe mënyrën se si do të shpallet Pavarësia një muaj përpara. Unë e kam udhëhequr seancën atë ditë dhe secili është ftuar një nga një të nënshkruaj, në fund kam nënshkruar edhe unë, dhe normalisht është krenari për secilin që e ka hedhur firmën atë”, tha ai.
Tutje ai ka theksuar se “jam ndier mjaft krenar, mjaft mirë se kom pasur privilegjin me hedh firmën dhe me drejtuar seancën atë ditë”.
“Isha 28-vjeçare, në mandatin e parë – ndjenjat ishin aq të forta sa mendova se do të alivanosesha”
Ndërkohë ish deputetja, Donika Kadaj-Bujupi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se momenti i shpalljes së Pavarësisë ishte i jashtëzakonshëm për të.
“Momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte një përjetim i jashtëzakonshëm për mua. Si një deputete e re, 28-vjeçare, në mandatin e parë, ndjeja një emocion të papërshkrueshëm. Çdo hap nga ulësja ime deri te tryeza ku qëndronte Deklarata e Pavarësisë është i ngulitur në kujtesën time”, deklaroi Kadaj-Bujupi.
Pos emocioneve të forta në ato momente mbi supe ndjeja barrën e përgjegjësisë pasi emri im u vendos në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
”Në atë çast, ndjeva sikur e gjithë historia e dhimbshme e popullit tonë po më kalonte para syve, dhe mbi supe ndjeja barrën e përgjegjësisë së madhe për të vendosur emrin tim në një dokument që vuloste përgjithmonë lindjen e shtetit tonë. Për një moment, ndjenjat ishin aq të forta sa mendova se do të alivanosesha”, tha Kadaj-Bujupi për “Enigmën”.
Ku është Kosova 17 vjet pas shpalljes së Pavarësisë?
Sipas Xhavit Halitit Kosova ka bërë hapa para. “Kosova ka ecë shumë përpara duke e krahasuar me të kaluarën e saj, ajo që është më me rëndësi nuk i kemi pushtuesit në Kosovë, së dyti rindërtimi i Kosovës pas luftës, dhe së treti përpjekjet janë për të ndërtuar një shtet të pranueshëm në Bashkimin Evropian, në OKB”.
Por megjithatë, ai thotë se gjërat nuk kanë ecur me ritmin që ai kishte menduar.
“Unë kam menduar se ky proces do të ecë më shpejtë, nuk ka ecur ashtu si kam menduar se siç do të duhej të ecte, arsyet janë të ndryshme, askush nuk pranon të thotë se kush është fajtori, por në këtë aspekt ka pasur ngecje, e dyta ka pasur ngecje edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës ku si pasojë e kësaj kemi edhe shprazjen e Kosovës dhe përgjegjësit për këtë dihen, prandaj duhet me punu ma shumë”, tha Haliti për “Enigmën”.
Ndërsa Donika Kadaj-Bujupi ka deklaruar se pas pavarësisë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në shumë fusha.
“Në sektorin e infrastrukturës, investimet e bëra kanë përmirësuar rrugët, transportin dhe energjinë, duke e bërë vendin më të përgatitur për sfidat e së ardhmes. Bizneset kanë shënuar një rritje të konsiderueshme, duke tërhequr investime të reja dhe duke krijuar mundësi punësimi që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik”, tha ajo.
Sipas saj pos sukseseve Kosova pas shpalljes së Pavarësisë ka pasur sfida në disa fusha, që vazhdon t’i ketë edhe sot.
“Sektori i arsimit dhe shkollat profesionale ende kanë nevojë për reforma të thella, për të përgatitur më mirë të rinjtë për tregun e punës dhe për të mundësuar një punësim më të shpejtë. Gjithashtu, ambienti urban kërkon hapësira të gjelbëruara dhe hapësira publike më cilësore për një cilësi jetese më të mirë. Një tjetër sfidë që duhet adresuar është mungesa e prodhimit të brendshëm, e cila kufizon potencialin tonë ekonomik”, deklaroi Kadaj-Bujupi për “Enigmën”.
Tutje ajo ka shtuar se “ky kontrast midis arritjeve dhe sfidave pasqyron përpjekjet e vazhdueshme për një zhvillim gjithëpërfshirës, që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe të integruar me standardet evropiane”.
Haliti dhe kadaj-Bujupi ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kosova është e kosovarëve dhe duhet t’a ndërtojmë bashkë vendin dhe jo t’a lëmë vendin tonë të shkretë”, deklaroi Haliti.
Ndërsa Donika Kadaj – Bujupi thotë se“Kosova është një histori suksesi, një rrugë që ecën me besim drejt të ardhmes. E ardhmja jonë është plot energji pozitive, inovacion dhe bashkëpunim, dhe besoj thellësisht se së bashku do ta ndërtojmë një vend edhe më të bukur”.
Pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm një akt formal, por një moment që kërkonte angazhim të vazhdueshëm për ndërtimin e një shteti funksional. Prandaj, sot, 17 vjet pas këtij momenti historik, është me rëndësi të reflektojmë mbi rrugën e bërë dhe sfidat që ende mbeten përpara. /Gazeta Enigma/