Nëse keni konsideruar se faturat e rrymës u kanë ardhur të larta deri më tash, nga muaji prill pritet të rriten edhe pak, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo pasi Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë pak ditë më parë njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
Javë më parë tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj, thotë se efektet negative të këtij vendimi janë të pashmangshme.
“Një shtrenjtim i energjisë eletrike prej 15% ka efekt direkt dhe indirekt tek qytetari i Kosovës. Kur them dirket pra faturat e energjisë elektrike do ti paguajnë qytetarët prej 15% më shtrenjtë duke renduar jetën e qytetarit dhe njëherit duke ulur mirëqninen. Ndërsa në aspekt indirekt një shtrenjtim i tillë do t’i shtyjë bizneset për të rritur çmimin e produktit final si rezultat i rritjes së kostos”, deklaroi Kadriaj për Gazetën Enigma.
Ndërkaq ekonomisti Arton Muhaxheri, vlerëson se “ndikimi në xhepin e qytetarëve do të ishte i ndjeshëm, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe shtresën e mesme”.
Këtë situatë të krijuar Muhaxheri e sheh si pasojë e keqmenaxhimit të sektorit energjetik nga ekzekutivi.
“Ky shtrenjtim nuk është një ngjarje e rastësishme, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit të sektorit energjetik nga qeveria, e cila ka dështuar të sigurojë furnizim stabil dhe të përballueshëm me energji. Në vend që të punojë për zgjidhje afatgjata, të investojë në burime të ripërtëritshme apo të menaxhojë në mënyrë të drejtë resurset ekzistuese, qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë – ta ngarkojë qytetarin me barrën e paaftësisë së saj. Kjo tregon qartë se mungon një plan i mirëfilltë për sektorin energjetik, ndërsa qytetarët dhe bizneset janë ata që po paguajnë faturën e keqqeverisjes”, ka shtuar tutje ai.
Lidhur me këtë të shumta kanë qenë pakënaqësitë e shprehura nga qytetarët dhe bizneset në përgjithësi.
Me shtrenjtimin e rrymës, rriten dhe çmimet e produkteve tjera
Ndërkohë një efekt tjetër zingjiror që pritet ta sjell rritja e çmimit të energjisë, e ka theksuar Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës.
Ai për Gazeta Enigma ka shprehur shqetësimin e LBK-së për këtë propozim, pasi sipas Dreshaj, një vendim i tillë do të ketë ndikim negativ edhe në ekonominë e vendit.
“Një vendim i tillë do të krijojë një efekt zinxhir, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve, sepse rritja e cmimit energjisë ndikon rënd tek buxheti familjar. Një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulje të investimeve dhe, potencialisht, humbje të vendeve të punës. Nëse rritja e çmimit të energjisë bëhet realitet, bizneset do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi për sektorin privat”, ka thënë Dreshaj.
“Asnjë cent më shumë”
Ndërkaq, të pakënaqur me këtë propozim të ZRRE-së janë ndarë edhe një grup aktivistësh të shoqërisë civile.
Luan Hasanaj për Gazeta Enigma ka thënë duke parë inflacionin në rritje të përditshme dhe nivelin e pagave të ulët, një porpozim të tillë e konsiderojnë si të pa pranueshëm.
“Ne një grup i aktivistave jemi bërë bashkë dhe kemi iniciuar një fushatë të cilën e kemi quajt “Asnjë cent më shumë” dhe përmes së cilës po thërrasim njerëz qëtë grumbullohemi në rrjetin social Facebook dhe tëvazhdojmë një fushatë, kulmin do ta ketë nëorganizmin e një proteste e cila do ta kundërshtoj këtëvendim”, ka deklaruar Hasanaj.
Më tej ai ka shtuar se deri më tani interesimi i qytetarëve për t’iu bashkuar kësaj iniciative është i lartë.
Në anën tjetër, nga Oda Ekonomike e Kosovës, kanë kërkuar që një vendim i tillë të shtyhet për së paku një vit.
Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna ka thënë se ky vendim është marrë në kohë të shkurtër dhe nuk ka pasur kohë që bizneset të përgatiten.
Ai ka treguar se në takimin me bizneset, kërkesa e tyre ka qenë që të shtyhet ky vendim si dhe që institucionet e Kosovës të subvencionojnë sektorin e prodhimit.
“Patëm një mundësi t’i dëgjojmë shqetësimet e biznesit. Shqetësimet më të mëdha ishin te bizneset e prodhimit, ku do të ketë efekt zinxhiror, do të rrit koston e produktit që më pas do të bartet tek konsumatori”, tha Rafuna.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë më shumë. /Gazeta Enigma