Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar në 17 vjetorin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës, me ç’rast ka ka thënë se “nderojmë themelet e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik”.
“Sot, në Ditën e Kushtetutës, ne nderojmë themelet e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik – dokumentin që mishëron aspiratat historike të qytetarëve tanë për liri, barazi dhe drejtësi”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë. Në këtë përvjetor, ne kujtojmë me respekt të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik”, u shpreh ai.
Abdixhiku gjithashtu tha se shkeljet e Kushtetutës dhe sulmet ndaj saj janë “sinjal i qartë i praktikave që e rrënojnë rendin demokratik dhe e largojnë shtetin nga parimet mbi të cilat është ndërtuar”.
“Kjo nuk është thjesht çështje ligjore – është plagë për demokracinë tonë dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi. Nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë më këtë. Mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e secilit prej nesh që beson në një Kosovë të drejtë, të barabartë dhe demokratike”. / Gazeta Enigma.