Seanca e sotme nisi më ndryshe se herët e tjera, kjo pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga partitë të propozojnë një kandidat për komisionin verifikues, që votimi për kryeparlamentar/e të bëhet në formë të mbyllur, raporton Gazeta Enigma.
Kjo gjë u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se assesi nuk bëhen pjesë e “kësaj talljeje”.
“Ju s’keni të drejtë, po krijoni precendent antikushtetues. Mos i frikësoni por nxirreni një kandidat ne nuk marrim pjesë në këtë votim të imponuar. Ne do ju vëzhgojmë e do ju shohim, për shkak të dëshmitarëve e popullit që na kanë votu, por kjo është tallje me Kuvendin e Republikës”, tha Krasniqi.
E LDK tha se nëse procedohet me votim lënda do dërgohet në Kushtetuese.
“Ne nuk do bëhemi pjesë e shkeljeve të juaja. Në asnjë pikë të rregullores nuk thuhet se mund ta ndërrosh formën e votimit kur je në proces. Nëse ju procedoni me votim, kjo lëndë do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hykmete Bajrami.
Kjo formë e votimit u kundërshtua edhe nga AAK.
LVV-ja tenton ta ndërroj formën e votimit të kryeparlamentarit – PDK e LDK e kritikojnë se po shkelin Kushtetutën
