Shoqëria civile për ngërçin politik: Ka kaluar çdo kufi i tolerueshëm, po dëmtohet shteti 

Shoqëria civile për ngërçin politik: Ka kaluar çdo kufi i tolerueshëm, po dëmtohet shteti 

Pas bllokadës institucionale, mbi 60 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar duke kërkuar zhbllokimin e situatës, raporton Gazeta Enigma.

Në reagimin e tyre theksohet se kriza institucionale ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit.

Në reagim thuhet se këto organizata po e përcjellin me shqetësim të thellë dështimin e vazhdueshëm të deputetëve dhe deputeteve për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe refuzimin e udhëheqësve të partive politike për të bashkëpunuar dhe për të hyrë në dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i jepte fund kësaj krize institucionale.

“Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit. Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik.

“Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”, thuhet në reagim.

Zhvillimet gjeopolitike aktuale sipas tyre kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike.

“Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm.  Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare. U bëjmë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike. Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik”, thuhet ndër të tjera në reagim. / Gazeta Enigma.

Related Articles