Shqipëria pret Samitin e NATO-s në vitin 2027

Shqipëria pret Samitin e NATO-s në vitin 2027

Shqipëria pritet të konfirmohet si mikpritëse e Samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në vitin 2027, një ngjarje historike që do të shënojë herën e parë që vendi ynë pret një samit të aleancës.

Konfirmimi vjen nga drafti i deklaratës së Samitit të sivjetshëm të NATO-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Hagë, Holandë, dhe të cilin Radio Evropa e Lirë e ka parë.

Në fund të draftit të deklaratës thuhet qartë: “Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen nga Mbretëria e Holandës. Mezi presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi më 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri.”

Shqipëria si aktore gjeopolitike dhe investimet në mbrojtje

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kishte paralajmëruar verën e kaluar se Shqipëria do ta mirëpriste samitin e NATO-s më 2027, një paralajmërim që tashmë duket se do të zyrtarizohet.

Për Shqipërinë, ky do të jetë një moment kulminant pas anëtarësimit në NATO në vitin 2009. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ka qenë tashmë mikpritëse e ngjarjeve të rëndësishme, si samiti i Komunitetit Politik Evropian në maj të këtij viti, duke dëshmuar aftësitë organizative të vendit.

NATO-ja ka një prani të konsiderueshme në Shqipëri, duke përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, e cila është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo bazë u përurua në mars 2024, pas një investimi prej afërsisht 50 milionë eurosh nga NATO dhe më shumë se 5 milionë eurosh nga Qeveria shqiptare.

Gjithashtu, Shqipëria është në bisedime me NATO-n për ndërtimin e një baze detare në Porto Romano në bregdetin e Adriatikut, duke theksuar rolin strategjik në rritje të vendit në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe euro-atlantike.

Kjo ngjarje duket se do të jetë një mundësi mjaft e mirë për Shqipërinë që të shfaqë rolin e saj aktiv dhe kontributin në Aleancë.

Related Articles