Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë të martën ka njoftuar qytetarët se pas një periudhe të zgjatur me temperatura jashtëzakonisht të larta dhe mot të nxehtë, pritet një ndryshim i madh i kushteve atmosferike, që do të ndikojë edhe në Kosovë.
“Nga e mërkura, një front i fuqishëm i ftohtë do të sjellë ulje të menjëhershme të temperaturave (deri në 20°C më pak), reshje shiu dhe mot të paqëndrueshëm. E enjtja do të jetë me vranësira të shpeshta dhe temperatura më të ulëta se zakonisht. E premtja, vjen me stabilizim gradual dhe ngritje të lehtë të temperaturave, por nën 30°C”, thuhet në njoftim.
Qytetarëve u është rekomanduar që të qëndrojnë të informuar për paralajmërimet nga institucionet dhe mediat zyrtare, të mos qëndrojnë në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe rrufesë, të sigurojnë objektet e jashtme që mund të dëmtohen nga era, të kenë kujdes të shtuar për të moshuarit dhe fëmijët gjatë ndryshimeve të papritura të motit dhe të mos parkojnë nën pemë apo objekte të rrezikshme. “Sipas parashikimeve ndërkombëtare, masa të ftohta dhe të fuqishme ajrore pritet të depërtojnë nga veriperëndimi i kontinentit, duke përfshirë fillimisht disa shtete të Evropës si: Veriu i Italisë, Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Sllovakia, Polonia, Ukraina dhe Rumania, ku do të shënohen rrebeshe të fuqishme shiu, shkarkesa të rrezikshme rrufesh dhe erëra të forta me shpejtësi deri në 130 km/h – me potencial për pasoja serioze”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma