Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në çdo situatë kur shteti s’ka qeveri të legjitimuar, quhet qeveri në detyrë.
Sipas tij, as mocioni i mosbesimit nuk ia merr të drejtën me qenë kryeministër në detyrë, teksa kujtoi kohën kur ish-kryeministri Isa Mustafa dhe ministrat e qeverisë vazhduan deri në betim për deputetë, por sipas tij, ata liruan zyrtar e qeverisë për ulëset e parlamentit.
“Në çdo situatë kur nuk ke qeveri të legjitimuar, quhet qeveri në detyrë. As mocioni i mosbesimit nuk ta merr të drejtën me qenë kryeministër në detyrë sepse Mustafa dhe ministrat e qeverisë së rrëzuar nga PDK dhe aleatët, vazhduan deri në betimin për deputetë që dolën nga zgjedhjet e rregullta, por ata liruan zyrat e Qeverisë për bankat e Parlamentit”, tha ai.
Tutje, Haziri iu drejtua kabinetit në detyrë se “ju edhe deputetë edhe ministra, sipas kësaj logjike, mundeni me qenë edhe prokuror edhe gjykatës.
“Ata që e duan Republikën, e ruajnë dhe e respektojnë. Sovraniteti nuk është veç në një copë toke, por në sallën e Kuvendit të Republikës dhe në zemrën e Kushtetutës së Republikës”, tha ai.