Ka disa javë që banorët e lagjes “Dardania” në Gjilan janë duke u përballur me disa ndryshime administrative, gjë e cila ka ngjallur reagime të shumta nga ana e tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.
I gjithë ky reagim ka ardhur si pasojë e një letre të ardhur nga Qeveria, më saktë nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku sipas banorëve u është kumtuar përmes këtij dokumenti se zyrtarisht ata nuk janë më banorë të Komunës së Gjilanit, por të Novobërdës.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar drejtori aktual i Kadastrës në Komunën e Gjilanit, Bekim Salihu, i cili ka deklaruar se ky kufi është caktuar gjatë procesit të decentralizimit të udhëhequr nga qeveritë e kaluara.
“Së fundmi, Komuna e Gjilanit ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me çështjen e kufirit të zonës kadastrale në lagjen Dardania (Gavran). Ky kufi është përcaktuar gjatë procesit të decentralizimit, të udhëhequr nga qeveritë e kaluara — një proces të cilin Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi”, ka shkruar Salihu.
Tutje ai ka shtuar se “si pasojë e këtij procesi, përveç pjesës së lagjes Dardania (Gavran), Komuna e Gjilanit ka humbur në total një territor të konsiderueshëm me sipërfaqe prej 123 km²”.
“Komunës së Novobërdës i janë kaluar nëntë zona kadastrale: Parallovë, Makresh i Epërm, Makresh i Ulët, Muzgovë, Dragancë, Strazhë, Kufcë e Epërme, Stanishor dhe Koretishtë, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 94.42 km²”, tha ai.
Sipas tij, “Komunës së Parteshit i janë kaluar tri zona kadastrale: Partesh, Budrigë e Poshtme dhe Pasjan, me një sipërfaqe prej 28.67 km²”.
Ai thotë se Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar në adresimin e këtyre shqetësimeve dhe në mbrojtjen e interesit publik.
Në lidhje me këtë çështje, partia opozitare në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirrur seancë emergjente në Kuvendin Komunal të kësaj komune, e cila u zhvillua të martën më 29 korrik, ku edhe kanë kërkuar inicimin e procedurave ligjore.
Kjo, pasi banorët e kësaj lagje “janë të shqetësuar për kërkesën e ministrisë që të regjistrohen si banorë të Novobërdës dhe, e dyta, Komuna e Gjilanit ka filluar të refuzojë shërbimet komunale banorëve të kësaj pjese”.
Cilat hapa duhet të ndiqen sipas PDK-së?
Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë disa rekomandime se si duhet të procedohet tutje për ta zgjidhur këtë çështje.
Një nga hapat është fillimi i procesit të rishikimit të vijës kufitare ndërmjet Gjilanit dhe Novobërdës.
Rashiti ka theksuar se hapat e nevojshëm ligjorë që duhet të merren tani janë: një marrëveshje ndërkomunale paraprake mes Gjilanit dhe Novobërdës.
Tutje ai ka shtuar se duhet të bëhet një “kërkesë zyrtare nga Komuna e Gjilanit në MAPL, konsultime publike me qytetarët e zonës, propozimi të dërgohet në Qeveri dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, dhe përditësimi i kufirit në regjistrin zyrtar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK)”.
Si u dhanë këto pjesë të Gjilanit për Novobërdën – Çka ndodhi realisht?
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ish-kryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, ka deklaruar se katër rrugët në lagjen “Dardania” kanë qenë përbrenda zonës kadastrale të Koretishtës, e në vitin 2009, edhe Koretishta ka kaluar me Komunë të Novobërdës.
Tutje ai ka theksuar se në lidhje me këtë çështje kanë qenë të informuar edhe banorët e asaj lagje.
Meqë këto katër rrugë kanë qenë brenda zonës së urbanizuar, brenda rrugës qarkore në zonë të urbanizimit të Gjilanit, Ymeri thotë se “nuk kemi bërë presion në atë kohë për arsye se kemi pa që natyrshëm janë me Gjilan dhe natyrshëm duhet me mbetë ata me Gjilan”.
“Pra qytetarët e asaj pjese tani e 16 vite, po ashtu si edhe ne, e kanë ditur se ato rrugë kanë mbetur me lagjen Dardania sepse është vendosur ashtu me mbetë nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal, Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Komunës së Gjilanit”, tha ai.
Ndërkohë, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili në vitin 2009 ka qenë në krye të kësaj komune thotë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes komunave dhe Qeverisë për kalimin administrativ.
“Përderisa unë isha kryetar, nuk është bërë asnjë marrëveshje mes komunave dhe Qeverisë që kjo zonë të kalojë nën administrim të Komunës së Novobërdës sepse këta banorë deri atëherë i kanë marrë shërbimet nga administrata jonë. Nëse më vonë është bërë ndonjë marrëveshje, unë nuk jam i informuar për të”, theksoi ai.
“Marrëveshja e tillë do të duhej me u përcjellë me vendimet e kuvendeve të dy komunave dhe me miratim nga Qeveria (nëse nuk është thënë ndryshe me ndonjë kufizim në pakon e Ahtisarit e cila është pjesë përbërëse e Kushtetutës së RKS)”, tha Mustafa për Gazetën “Enigma”.
Por çfarë ndodhi me këto rrugë në vitin 2009 dhe pse u regjistruan në Koretishtë, sipas Mustafës?
“Nuk mendoj që këto parcela të Dardanisë janë regjistruar në zonën kadastrale të Koretishtës në vitin 2009. E di që deri në vitin 2013, aty rreth xhamisë kanë figuruar disa prona në emër të serbëve, e që do të thotë se zona kadastrale e Koretishtës është shtrirë deri në Dardani edhe më herët se në 2009. Bile disa parcela të kësaj zone shtrihen edhe përtej rrugës së Prishtinës kah Livoçi i Epërm dhe përtej liqenit po ashtu”, tha ai.
Sipas Mustafës, kjo çështje aktualisht është hapur më shumë “për konsum sezonal politik sesa si përkujdesje ndaj zonës së Dardanisë e cila aktualisht bie nën administrim të Artanës”.
“Po të njëjtat subjekte politike kanë vepruar në Gjilan që nga viti 2005 (përveç iniciativës për Anamoravën). Pse nuk u bë kjo çështje temë deri më tani dhe pse nuk flitet në këtë temë edhe për ndërhyrjen kah Livoçi i Epërm dhe përtej liqenit?”, ka pyetur ish-kryetari Qemajl Mustafa.
Ndërsa sipas Bajrush Ymerit kjo çështje është risjellë tani sepse “Agjencioni Juridik Civil dhe Agjencioni Kadastral i Kosovës janë duke implementuar projektin e implementimit të adresave për të gjithë qytetarët e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Meqë ato katër rrugë janë në zonë kadastrale të Koretishtës, ata kanë vepruar sipas kufijve të zonës kadastrale së Koretishtës dhe për atë arsye kanë shkuar dhe kanë marrë këto iniciativa”, theksoi tutje ai.
Kujtojmë se pas shpalljes së pavarësisë, në bazë të Planit të Ahtisarit, organizimi territorial dhe përcaktimi i kufijve administrativë të komunave është rregulluar me Ligjin për Kufijtë Administrativë të Komunave.
Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ishin themeluar 7 komuna të reja dhe një komunë, ajo e Mitrovicës së Veriut, ishte në proces të themelimit në atë kohë. /Gazeta Enigma/