Kamberi padit Bërnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare

Kamberi padit Bërnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq,  për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Kamberi, këtë kallëzim penal e ka dorëzuar bashkë me kolegët deputet Ahmedin Skrijelj dhe Minela Kalender.

“Dhe dëgjuam thirrjen Allahu Ekber dhe gjëra tjera të neveritshme”, kishte deklaruar kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në konferencën për shtyp pas protestave të para disa ditëve në Novi Pazar”, bën të ditur Kamberi.

Sipas tij, kjo është një fjali që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtën besim, duke i përbaltur dhe asociuar me “të neveritshmen”, me “rrezikun”, me “të huajin” brenda një shteti që ende nuk ka dalë nga trauma e nacionalizmit agresiv të viteve ‘90.

Kamberi tha se ky veprim nuk është politik, por thirrje për drejtësi.

Ai shton se gjuha e urrejtjes nuk mund të mbetet vetëm çështje politike apo moraliteti publik, në radhë të parë është çështje ligjshmërie dhe drejtësie.

Related Articles