Punëtorët e RTK-së pa paga – Bajrami kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale

Punëtorët e RTK-së pa paga – Bajrami kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar për mosekzekutimin e pagave për 700 punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një poastimi në profilin e saj në Facebook Bajrami ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorët.

“Miliona euro ka ndarë qeveria jolegjitime e Albin Kurtit (e konsideruar e jolegjitim nga data 15 prill, kur u betuan si deputetë) për projekte të dyshimta, të cilat nuk janë të specifikuara në Ligjin e Buxhetit. Megjithatë, ai ka vendosur t’i penalizojë punëtorët e RTK-së, sepse, pavarësisht se e kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, ata po vuajnë pasi nuk mund të kontrollohen të gjithë gazetarët aty”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami theksoi se dy komuna – Prishtina dhe Gjilani – nuk kanë marrë kurrë buxhetin përkatës nga Kuvendi i Kosovës.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, janë dy komuna: Prishtina dhe Gjilani, të cilave nuk u ka kaluar buxheti asnjëherë në Kuvendin e Kosovës (Prishtinës për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit) dhe Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit që e kanë pasur në vitin 2024, ndërsa Albini ka vendosur që t’i luftojë 700 punëtorë të RTK-së me justifikimin banal se Ligji nuk i lejon të ndajnë buxhetin për paga për punëtorët e RTK-së, sepse duhet drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar që nuk ekziston”, shkroi ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles