Në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në konferencën për media u bë e ditur se është lëshuar urdhër –arrest ndërkombëtar ndaj 21 personave të akuzuar për dëbimin e popullsisë civile nga territori i Republikës së Kosovës, gjatë periudhës së luftës së fundit.
“Sot ne kemi bërë për urdhër-arrest me kohë, pra i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, deri në ketë momentin të njëjtit janë të paarritshëm për Prokurorinë”, tha prokurori special, Atdhe Demaj.
Ai bëri të ditur se edhe emrat e të akuzuarve do të publikohen shumë shpejt.
“Fillimisht ne shkojmë me iniciale, emrat do të publikohen shumë shpejt, për momentin në evidencat tona nuk kanë figuruar dikur tjetër”, vijoi Demaj.
Ndryshe, Prokuroria ka theksuar se ka pasur arsye të mjaftueshme për të ditur se disa nga këto forca kanë kryer veprime të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë shkatërrimin sistematik të pronës civile, djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, si dhe ndalime dhe persekutime arbitrare për arsye etnike.
Sipas aktakuzës, këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjerë që ka shkaktuar zhvendosjen me dhunë të 863,000 qytetarëve shqiptarë sipas statistikave zyrtare.