Në rastin kundër administrim të drejtësisë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka thënë se janë duke u përballur me kufizime në aftësinë për të kryer hetime.
“Siç është shpjeguar në kërkesën drejtuar Gjykatësit të Procedurës Paraprake më 26 gusht 2025, Mbrojtja përballet me kufizime në aftësinë e saj për të hetuar, të cilat nuk ekzistojnë për ekipe të tjera mbrojtjeje ose për ZPS-në”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo, sipas mbrojtjes, edhe për shkak të kufizimeve që i janë vendosur Thaçit në çështjen për krime lufte.
“Këto kufizime vihen në lojë për Mbrojtjen për shkak të mbivendosjes së madhe midis dëshmitarëve të ZPS-së në çështjen aktuale dhe dëshmitarëve të ZPS-së në Çështjen 06. Siç u paralajmërua në parashtresën e Mbrojtjes më 26 gusht 2025, Mbrojtja do të kërkojë që kufizimet e Çështjes 06 të ndryshohen. Megjithatë, deri në miratimin e një kërkese të tillë nga Paneli i Gjykimit II, Mbrojtja është ndjeshëm e penguar në hetimet që është në gjendje të ndërmarrë”, thuhet në parashtresën e dorëzuar më 29 gusht 2025 nga avokatja Sophie Menegon.
Përveç kësaj, Menegon thotë se Thaçi po përballet me sfida si rezultat i zhvillimit të dy procedurave paralele ndaj ti. Po ashtu, sipas avokates, çështja e mbrojtjes së Thaçit në rastin për krime lufte do të fillojë më 15 shator dhe kjo do ia marrë të akuzuarit thuajse të gjithë kohën për t’u përgatitur.
Sipas saj, ky proces pritet të vazhdojë edhe gjatë nëntorit, e që procedurat pritet të vazhdojnë edhe më pas.
Përveç kësaj, mbrojtja ka thënë se disa çështje që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes vazhdojnë të kenë ndikim të madh në përgatitjen e saj për gjykim.
Gjithashtu, mbrojtja thotë se aftësia e tyre për t’u përgjigjur në pyetjet e gjyqtares së procedurës paraprake lidhur me këtë fazë të procesit dhe përgatitjes për gjykim, pengohet nga mungesa e qartësisë lidhur me natyrën çështjes kundër Thaçit. Mbrojtja pretendon se ka mangësi në aktakuzë dhe se ata nuk e kanë një përmbledhje të një pjese të aktakuzës ashtu siç e parashohin rregullat.
“Kjo rrjedh nga fakti se ZPS-ja fillimisht pretendoi se z. Thaçi ishte përgjegjës për kryerjen e veprave penale sipas nenit 401 (2) të Kodit Penal të Kosovës dhe paraqiti një përmbledhje sipas Rregullës 86 (3) në mbështetje të një pretendimi të tillë, ndërkohë që aktakuza e konfirmuar ngarkon për tentativa veprash sipas nenit 401 (2), dhe ZPS nuk ka paraqitur asnjë përmbledhje sipas Rregullës 86 (3) lidhur me përgjegjësinë për tentativë. Kësisoj, jo vetëm që Mbrojtja nuk është në dijeni për cilat prova mbështetet ZPS-ja për të demonstruar këtë tentativë, por nuk di as se cili veprim i z. Thaçi pretendohet se ka përbërë një tentativë”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se pret që të jetë në një pozitë më të mirë për të vlerësuar nevojat e saj hetimore pas pranimit të parashtrimeve paraprake të Prokurorisë, listës së provave dhe listës së dëshmitarëve. Por, sipas mbrojtjes, aftësia e tyre për të kryer hetime në mënyrë të drejtë mbetet e kushtëzuar nga një vendim i trupit gjykues në rastin për krime lufte lidhur me ndryshimin e kornizës për kontaktimin e dëshmitarëve.
Në anën tjetër, mbrojtja thotë se nuk është në gjendje që të marrë qëndrim sa i përket pranueshmërisë së provave nga Prokuroria.
Po ashtu, sipas tyre, në këtë fazë ata nuk do të mbështeten në ndonjë bazë përjashtuese të përgjegjësisë penale, por që kjo varet kryesisht nga zbulimet e mëtejshme të Prokurorisë.
Mbrojtja rikujtoi se ka dy mocione në Apel dhe se derisa të zgjidhen ato, nuk ka mundësi që lënda t’i bartet trupit gjykues. Ndërsa, për fillimin e gjykimit, mbrojtja ka thënë se është e gatshme të fillojnë më 2 mars 2026.