Në adresë të Policisë së Kosovës janë evidentuar gjashtë raste dhune në familje, raporton Gazeta Enigma.
Disa nga rastet kanë përfunduar me arrestime dhe dërgime në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt
Në Podujevë, një burrë u arrestua pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një anëtar të familjes, duke përdorur edhe mjete të rrezikshme – një kaçavidë dhe një thikë, të cilat u konfiskuan nga policia.
Rasti tjetër u raportua në Prizren.
Pas pranimit të informatave për armë të paautorizuara në posedim, një burrë dorëzoi një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie dhe 28 fishekë, dhe u arrestua për mbajtje të paautorizuar të armëve, në një rast që lidhet po ashtu me dhunën në familje.
Në Prishtinë, u raportuan dy raste të ndara: një mashkull dërgoi mesazhe ofenduese ndaj një femre, dhe në një rast tjetër, një grua dyshohet se ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht një anëtare të familjes.
Në Istog, një burrë nën ndikim të alkoolit ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur dy anëtarë të familjes – një femër dhe një mashkull.
Ndërsa në Malishevë, Policia njoftoi se një burrë u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike ndaj një femre të afërt familjare.