Prokuroria në Mitrovicë ka kërkuar një muaj paraburgim për katër të arrestuarit pas aksionit në familjen Gërbeshi.
Të pandehurit me iniciale Rr.G., A.G., dhe E.G., dyshohen për kryerjen e veprës penale “Detyrimi”, si dhe për personin me iniciale K.G., për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria“.
Të katër të pandehurit janë arrestuar ditën e djeshme, datë 21 shtator, në një operacion të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me ç`rast janë kontrolluar lokacione në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe në qytetin e Vushtrrisë.
Gjatë operacionit, të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy (2) armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy (2) karikatorë, dy (2) palë dylbi, shtatë (7) telefona celularë, një (1) shkop druri, një (1) palë dorëza, një (1) thikë, dokumente të ndryshme, një (1) pasaportë, një (1) patentë shofer, një (1) USB, një (1) llap-top, një (1) palë patika dhe një (1) çelës motori.
Të pandehurit, me vendim të prokurorit, gjenden në ndalim 48 orësh, ndërkaq seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega Vushtrri.