Policia në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, këtë të shtunë kanë zhvilluar aksion në afërsi të sheshit “Car Lazar”.
Sipas komunikatës për media, Policia thotë se ishte njoftuar se në një podrum të një ndërtese mund të gjendeshin gjëra të kundërligjshme.
Njësitë policore gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar: 1 pushkë automatike, 1 pushkë gjahu, 50 fishekë, 1 kondak pushke, 1 palë pranga, 1 mbajtës pushke, 1 maskë kundër helmeve me çantën e saj, 1 këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët.
Lidhur me rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka të arrestuar, derisa shtoi se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.