Osmani do ta dekorojë presidentin e FIFA-s, gjatë vizitës së tij në Kosovë

Osmani do ta dekorojë presidentin e FIFA-s, gjatë vizitës së tij në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani do ta dekorojë kryetarin e FIFA-s, Gianni Infantinon, gjatë vizitës që ai do e zhvillojë të mërkurën në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ademi në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, të komunitetit të futbollit dhe të gjithë dashamirëve të këtij sporti, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj presidentes Osmani, për vlerësimin dhe nderin që do i bëhet presidentit të FIFA-s.

“Ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si President i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, shkroi Ademi.

“Gianni Infantino ka pasur fatin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, të shpallë Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s, një moment ky historik që e ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet. Po ashtu, nën udhëheqjen e tij, FIFA ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në përmes programit “FIFA Forëard”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollit në Kosovë”, u shpreh tutje i pari i FFK-së.

Ademi tha se dekorim forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.

“Dekorimi i Presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm. Në emër të FFK-së, edhe një herë dua të ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe për vizionin tuaj që Kosova të përfaqësohet me dinjitet në çdo fushë, përfshirë edhe atë të futbollit”. /Gazeta Enigma

Related Articles