Sot janë bërë tetë muaj që nga dita kur Kosova votoi në zgjedhje nacionale me 9 shkurt, ndonëse akoma vendi vazhdon të jetë në bllokadë, shkruan Gazeta Enigma.
Pas shumë tentativa për zgjedhjen e kryeparlamentarit, më në fund u votua propozimi i LVV-së me Dimal Bashën në krye, dhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
Emilja Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.
Kushtetuesja e tha fjalën e vet
Ndërkohë të mërkurën Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Në vendimin (KO265/25), Gjykata konstatoi se Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, siç kërkohet me nenin 67 të Kushtetutës.
Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e mbajtur më 26 dhe 28 gusht 2025 është zhvilluar me parregullsi procedurale, për shkak se kryesuesi i seancës kishte ndarë procesin e votimit në mënyrë të veçantë për komunitetet jo-shumicë – fillimisht për atë serb dhe më pas për komunitetet e tjera joshumicë. Ky veprim, sipas parashtruesve të kërkesës, ka cenuar barazinë dhe të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve.
Në dokument thuhet se votimi për nënkryetarët nga radhët e shumicës u zhvillua “në pako”, ndërsa përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u votuan ndaras, gjë që sipas deputetëve nënshkrues të kërkesës (të komunitetit serb) bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit.
8 muaj nga konstituimi i Kuvendit, kush është ‘fajtori’?
Analisti politik, Avni Arifi, deklaroi se shkaktari kryesor për stërzgjatjen e çështjes së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, është Albin Kurti.
“Është vetëm një shkaktar kryesor dhe ai quhet Albin Kurti, i cili nuk po mundet të përbijë faktin se jeton në një vend me demokraci parlamentare dhe jo në një emirat. Zgjedhjet e vitit 2021 Albin Kurti i ka lexuar gabimisht, duke e parë vetën si sundimtar, dhe 9 shkurti i vitit 2025 dita e zgjedhjeve ia mori atë ndjenjë. Demokracia parlamentare nënkupton partneritet, bashkëpunim dhe koncensus me spektrin politik, por, këto veti nuk i posedon Kurti”, tha Arifi për Gazetën Enigma.
Edhe analisti politik Branislav Krstic, theksoi përgjegjësia i takon partisë së parë, LVV-së.
“Pjesa më e madhe e përgjegjësisë i takon koalicionit aktual qeverisës për shkak të përbuzjes dhe arrogancës së tij të përhershme ndaj të gjithë opozitës. Pasoja e veprimeve të tilla është një shoqëri e ndarë në Kosovë. Ekziston gjithashtu njëfarë përgjegjëe nga ana e subjekteve politike paralmentare të opozitës, por në një shkallë shumë më të vogël”.
“Unë besoj se deputetët aktual e kuptojnë dhe janë të vetëdijshëm për rrezikun në të cilin po e shtyjnë vendin”, tha Krstic për Gazetën Enigma.
Tutje, Krstic deklaroi se rekomandimet e administratës amerikane dhe shteteve anëtare të QUINT-it janë një paralajmërim ‘për të mos luajtur me shtetin’.
“Rekomandimet e administratës amerikane dhe vendeve të QUINT-it janë një paralajmërim për të mos luajtur me shtetin. Shpresoj që arsyeja dhe pragmatizmi politik të mbizotrojnë, sepse përndryshe vetëm sa do t’i dëmtojmë më tëj mardhëniet tashmë të lëkundura me aleatët tanë. Ashtu si natën e zgjedhjeve, unë mendoj se për të gjithë ne në Kosovë, opsioni më i mirë është që pas konstituimit të Kuvendit, të ketë konsultime serioze dhe të përgjithshme midis aktorëve politikë dhe një marrëveshje për formimin e Qeverisë së Unitetit, sepse Kosova po përballet me një periudhë në të cilën do të duhet të përmbushim detyrimet nga marrëveshjet ndërkombëtare të dakorduara nga Qeveria aktuale dhe ajo e mëparshme”, përfundoi Krstic për Enigmën.
Mungesë e vullnetit politik nga gjitha partitë për të dalë nga kriza
Ndërkohë politologu Afrim Kasolli, vlerëson se mungesa e vullnetit politik nga gjitha partitë ka bërë që bllokada të vazhdojë tash e sa muaj.
“Që në fillim duhet cekuar se paqartësitë kushtetuese kanë qenë më së paku shkaku kryesor i kësaj krize të stërzgjatur dhe rraskapitëse. E vërteta e kësaj bllokade buron nga mungesa e vullnetit politik të partive politike për t’i zbatuar detyrat e tyre. Ishte e qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për të qeverisur, por as nuk ishte e gatshme për kompromis politik si parakusht për zhbllokim të gjendjes. Por as partitë “opozitare” po ashtu sa nga frika e sa nga kalkulimi, nuk kishin vullnet të linin Lëvizjen në opozitë, por as të bashkëqeverisnin më të”, theksoi ai në një prononcim për Gazetën Enigma.
Kriza sipas tij “është pasojë e sjelljeve të drejtpërdrejta të partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës”
“Në këtë drejtim, duhet cekur se LDK-e pat bërë një propozim për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe me mandat të kufizuar, por ai solucion u mohua si nga Lëvizja Vetëvendosje me pretendimin se LDK ka frikë të bëhet pjesë e pushtetit pa PDK, si dhe nga kjo e fundit se LDK mëton ta mbajë me çdo kusht në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje, përkudër dëmeve që i ka sjellur Kosovës si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, shtoi ai.
“Pra kjo krizë është pasojë e sjelljeve të drejtpërdrejta të partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, të cilat në vend të jetësimit dhe materializimit të vullnetit të sovranit për shkak të interesave të tyre afatshkurta kanë vendosur ta marrin peng këtë vullnet dhe ta mbajnë të bllokuar”. / Gazeta Enigma.