Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Kroaci ku është pritur nga ambasadori i Kosovës, Gëzim Kasapolli dhe disa zyrtarë.
Kurti ka arritur në vendin ku një autobus me mërgimtarë u aksidentua dhe pritet të vizitojë të lënduarit që po trajtohen në spital. Bashkë me të janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.
Në Slavonski Brod një autobus me mërgimtarë është aksidentuar dhe kanë humbur jetën 10 persona si dhe janë lënduar 44 persona.
Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.
Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërgimtarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.